Hoti në Obiliq: Ne i hoqëm sanksionet dhe forcuam marrëdhëniet me aleatët

Në një takim mobilizues me strukturat e Degës së LDK-së në Obiliq, kryeministri, Avdullah Hoti ka thënë të hënën se gjatë mandatit të tij prej gjashtë muajsh, ka hequr sanksionet që i ishin vendosë Kosovës dhe i ka forcuar marrëdhëniet me aleatët euroatlantikë.

“Përderisa kryeministri i mëparshëm i acaroi marrëdhëniet me aleatët, duke shkuar deri në vendosjen e sanksioneve, ne për gjashtë muaj i normalizuam ato marrëdhënie, e kthyem besimin dhe morën përkrahje politike, përkrahje financiare në vlerë prej 1 miliard dollar dhe bashkëpunim ushtarak, duke mundësuar Forcën tonë të Sigurisë që të rreshtohet krahas ushtrisë amerikane për të kontribuar për paqen në botë”, ka thënë kryeministri.

Hoti ka thënë se garanci e pavarësisë dhe integritetit tonë territorial është bashkëpunimi me aleatët tanë historikë dhe euroatlantikë, të cilët po ndihmojnë edhe në rritjen e kapaciteteve tona ushtarake.

Kandidati i LDK-së për kryeministër, tha se për 6 muaj në qeverisje kemi kryer punë sa oponentët tanë nuk do të mund t’i kryenin për një mandat të plotë, në kuptimin e orientimit euroatlantik të shtetit dhe menaxhimit të shtetit.

Si suksese të matshme të qeverisë së tij, Hoti ka përmendur menaxhimin e pandemisë, politikën e jashtme, menaxhimin e situatës me Gjykatën Speciale, etj.