Hoti: Në LDK pati unanimitet të plotë për kandidaturën time

Avdullah Hoti ka marrë sot besimin e Kryesisë së LDK-së për të garuar për pozitën e kryeministrit të Kosovës në zgjedhjet e reja.

Ai ka thënë se këtë të mërkurë nuk ka pasur asnjë votë kundër, as edhe abstenim për nominimin e tij.

“Ajo që na dallon neve si parti nga të tjerat është domosdoshmëria e debatit të brendshëm. Më vjen mirë që sot në Kryesi që është organi kryesor kishte unanimitet të plotë rreth kandidaturës sime për të vazhduar”.

“Asnjë votë kundër, asnjë abstenim. Pas debatit që kemi pasur është vlerësuar se duhet të vazhdojmë më tutje me kandidaturën time për kryeministër”, është shprehur Hoti.

Hoti në Rubikon ka thënë se në LDK janë shqyrtuar edhe kandidatura të tjera.

“Herë vet dhe unë me të [Isa Mustafën] kam diskutuar me disa prej tyre, me Lutfi Hazirin, Kujtim Shalën për të shqyrtuar… sepse në këto zgjedhje hymë për të fituar dhe jemi favorit. Jemi ulur të diskutojmë se si mund të shkojmë më tutje se cili është kandidati që na nxjerr më se miri në këto zgjedhje”.

“Gjatë këtyre gjashtë muajve kemi rikonfirmuar vlerat e LDK-së në qeverisje. Qeveria Mustafa mbetet ndër qeveritë me rezultatet më të mira. Nga qershori filluam një proces dhe janë arritur rezultatet më të mira”.