Hoti: Ne jemi favorit kryesor për t’i fituar zgjedhjet

LDK-ja ende nuk ka vendosur për kandidatin për kryeministër. Kështu ka deklaruar sot kryeministri Avdullah Hoti.

Hoti ka thënë se ende nuk e di nëse ai do të jetë kandidat për të parin e Qeverisë në zgjedhjet që priten të mbahen në fillimin e vitit 2021.

Ai në një prononcim për media ka thënë se LDK-ja nuk e ka vetëm një emër për prijës të garës zgjedhore, por disa, e që sipas tij, secili është më i mirë se tjetri.

Hoti tutje ka shtuar se janë favorit për t’i fituar këto zgjedhje.

“Nuk mund të them se jam unë, ende jemi duke zhvilluar biseda brenda LDK-së, kemi procedura të brendshme. E mira është që brenda LDK-së ka disa emra, secili më i mirë se tjetri, që mund t’i prijnë kësaj gare”, ka thënë ai.

Po ashtu ai tha se partia e tij është favorit kryesor për t’i fituar këto zgjedhje.

“Ne jemi favorit kryesor për t’i fituar zgjedhjet”, u shpreh ai para mediave gjatë vizitës në Krushë të Madhe.

Hoti ka pasur edhe një porosi për shefin e LVV-së Albin Kurtin, ku tha se punët që i ka kryer qeveria e tij, ajo e Kurtit nuk mund t’i kryente për një mandat të plotë.

“Nesër do kem një paraqitje për 6,7 muajt e qeverisjes, janë punë që një qeveri sikur ajo para neve për një mandat të plotë nuk do të mund t’ kryente”, shtoi ai.

Derisa ka folur për seancën e cila po mbahet lidhur me buxhetin, ai ka thënë se është tepër e rëndësishme që të mos fillohet viti pa buxhet të miratuar.