Hoti: Me VV-në kemi dallime për taksën, do t’i përafrojmë qëndrimet

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka thënë se sot po finalizohet programi qeverisës i cili është arritur mes dy partnerëve të koalicionit.

Ai tutje ka folur edhe për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa të zhvilluar mbrëmë pas hapit për heqjen e pjesshme të taksës 100 për qind.

Hoti për KTV-në ka thënë se me VV-në kanë dallime rreth kësaj çështje, por se janë duke punuar që t’i përafrojnë qëndrimet.

“Janë takuar dy kryetarët e partive dhe është diskutuar për tejkalimin e situatës, është kërkesë e partnerëve të heqim taksën, ndërkaq partnerët na japin premtime që do të angazhohen në ndaljen e fushatës për çnjohje. Kemi disa diferenca brenda koalicionit qeverisës dhe do të takohemi përsëri që t’i përafrojmë qëndrimet”, ka thënë ai.

Ndërkaq zëvendëskryeministri Haki Abazi ka thënë se sot në mbledhjen e Qeverisë nuk është duke u diskutuar asgjë tjetër përveç programit qeverisës.

Ai ka thënë se deri tash në mbledhje kanë dëgjuar vlerësimet e ministrave se si i kanë gjetur ministritë.

Abazi në një prononcim për media ka thënë se theks i veçantë i kësaj mbledhjeje do të jenë prioritetet e ministrive dhe bashkërendimi i tyre

“Theks i veçantë është që përveç që ministrat të tregojnë për prioritetet e tyre do të shohim edhe pikat e bashkërendimit që duhet të ndodhin mes ministrive që menjëherë të fillojnë me punën e koordinimit dhe çfarëdo ndihme që mund të ketë secila ministri dhe secili ministër. Kemi shumë sfida që jemi duke u ballafaquar por me bashkërendim do të arrihet që plani i punës të jetë i qartë dhe konkret”, ka thënë ai.