Datë historike

Hoti me urim të veçantë për të birin dhe mbarë qytetarët e Republikës

Driant Hoti nga Prishtina është njëri prej nga shumë pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës. Ai uniformen e FSK-së e veshi shtatë vjet më parë kur u inkuadrua për herë të parë si kadet i kësaj force.

Por, prej sot ai dhe shumë të rinj e të reja që barin uniformen e FSK-së kanë një mision tjetër. Mbrojtja dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës do të jetë në përgjegjësinë e tyre.

Në ditën kur deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan projektligjet që transformuan FSK-në në ushtri, është babai i Driantit, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti që e uroi të birin e tij dhe të gjithë qytetarët për formimin e ushtrisë.

Postimi i plotë i Hotit:

Duke e uruar djalin tim oficer për zyrtarizmin e ushtrisë së dytë shqiptare në Ballkan, uroj në radhë të parë shokët e tij, familjet e tyre dhe mbarë qytetarët e Republikës pa dallim.

Gëzuar!

Në ditën e sotme u zyrtarizua jo vetëm ushtria e Kosovës, por, dhe, mbi të gjitha:

Së pari, statusi i saj i përjetshëm strategjik – ushtarak në raport me ShBA-të;
Së dyti, ShBA dhe Kosova e kanë tashmë ushtrinë në kufirin Perëndim-Lindje të Europës Juglindore;

Së treti, Kosova së bashku me zyrtarizimin e ushtrisë e ka zyrtarizuar edhe statusin e popullit special në raport me ShBA-në të cilin e ka vetëm populli hebre;

Se katërti, me krijimin e ushtrisë BE-ja e ka humbur shansin e saj përfundimtar për të qenë në një rend të interesave shqiptare me ShBA-të. Krijimi i ushtrisë së Kosovës pa bekimin e BE-së, po vetëm me miratimin e Britanisë së Madhe, dëshmon se princeshat dhe princat e BE-së vazhdojnë të jenë të dashuruar në egot e tyre jo rrallë të përlyera dhe vazhdojnë ta trajtojnë Kosovën vetëm si mish për punë fizike dhe të shërbimeve për ta;

Së pesti, ushtria e ka hedhur këmbën e mbarë se Kosova nuk do të mund të shantazhet më, sado e padenjë qoftë klasa e saj politike me ose pa gjykata.

Urime!
rhoti