Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka potencuar se me ardhjen në pushtet të LDK-së, Kosova do të nis së zbatuari Marrëveshjen e Uashingtonit, e njohur ndryshe si marrëveshja për normalizimi ekonomik e nënshkruar asokohe nga Avdullah Hoti në cilësinë e kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
“Në qeverinë e ardhshme, Kosova do të nis të zbatojë marrëveshjen e Washingtonit për të nisur investimet në energjetikë, autostrada e hekurudha”, ka shkruar Hoti shkurtimisht në platformën sociale, Facebook.
Më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë Hoti e Vuçiç ishin pajtuar të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura, siç ishte ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.
Në marrëveshje gjithashtu përmendej edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhej se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.







