Hoti: MCC rikonfirmon se vazhdon mbështetjen për Kosovën

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se Bordi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes kompakte për Kosovën.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se në letrën e dërguar nga kryeshefi ekzektutiv në MCC, Sean Carincross, thuhet se ky vendim vjen si njohje e partneritetit dhe angazhimin që Kosova ka bërë në fuqizimin e institucioneve demokratike.

“Bordi i MCC-së ka vlerësuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe punën e zellshme për të zbatuar me sukses programin e pragut të Kosovës.”, ka shkruar ai tutje.

Kujtojmë se MCC kishte bllokuar investimet e saja në Kosovë pas refuzimit të Qeverisë Kurti për të hequr taksën ndaj mallrave serbe.

Ndërsa fondet u zhbllokuan tri ditë pas ardhjes në pushtet të Avdullah Hotit, i cili mori vendim që t’i heq masat e reciprocitetit dhe taksën ndaj mallrave serbe.

Postimi tij i plotë:

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) vazhdon mbështetjen për Kosovën

Jam i lumtur të ndaj me ju lajmin se Bordi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes kompakte për Kosovën.

Në letrën që kam pranuar nga z. Sean Cairncross, kryeshef ekzekutiv në MCC, thuhet se ky vendim vjen si njohje e partneritetit tonë të fuqishëm dhe angazhimit të qëndrueshëm që Kosova ka bërë në fuqizimin e institucioneve demokratike, duke mbajtur politika të shëndosha ekonomike dhe duke investuar në qytetarët e sajë.

Bordi i MCC-së ka vlerësuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe punën e zellshme për të zbatuar me sukses programin e pragut të Kosovës.

MCC-ja vlerëson edhe formimin e Ekipit të Veprimit, për zhvillimin e sektorit të gazit i cili vazhdon të ketë burimet dhe vëmendjen e nevojshme nga zyra ime dhe nga të gjitha ministritë përkatëse.

Jam shumë i lumtur për vazhdimin e mbështetjes nga ana e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe pres thellimin e partneritetit për të jetësuar një program ambicioz inovativ dhe transformues në Kosovë.