Hoti mbështet ndarjen e mjeteve nga Qeveria për renovimin e Notre Dames

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka përkrahur idenë e ndarjes së mjeteve për renovimin e katedrales Notre Dame në Paris nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ndonëse thotë se Franca nuk ka pasur nevojë për një ndihmë kaq simbolike, megjithatë deklaron se me ndarjen e këtyre mjeteve tregojmë ne se si shoqëri dhe shtet e vlerësojmë trashëgiminë kulturore botërore.

“A ka pasur nevojë Franca për ndihmën tonë kaq simbolike për rekonstruimin e Katedrales? Sigurisht se jo. Me ndarjen e këtyre mjeteve, a tregojmë ne si shoqëri dhe shtet se e vlerësojmë trashëgiminë kulturore botërore, si dhe mbështetjen që kemi pasur në momente kritike të ekzistencës tonë nga shteti mik Franca? Sigurisht se po”, shkroi Hoti në Facebook.

Ai po ashtu tha se katedralja Notre Dame është pasuri e kulturës botërore dhe se të gjithë e kemi parë me pikëllim shkatërrimin e këtij simboli të civilizimit dhe kulturës.

Më herët gjatë ditës, bashkpartiaku i Hotit, Lumir Abdixhiku, doli kundër kësaj ideje, sikurse edhe kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti.