Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit. Madje O’Brien ka shtuar se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
Për këtë çështje ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, i cili përmes një postimi në Facebook, të martën, ka deklaruar se këto deklarata të O’Brien duhet të merren me shqetësim.
AI ka shtuar se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale.
Më tutje, ish-kryeministri i Kosovës ka deklaruar se në prag të përvjetorit të pavarësisë, Kosova do të duhej të merrte mesazhe urimi.
“Deklarimet e Ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit duhet të merren me shumë shqetësim. Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale. Kush nuk e kupton këtë nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve”.
“Bartësit e institucioneve të vendit e kanë për obligim të mirëmbajnë këto marrëdhënie të pacenueshme. Keq. Në prag të përvjetorit të pavarësisë, do të duhej të merrnim mesazhe urimi”, ka thënë Hoti. /Gazeta Express







