Hoti: Koalicioni Kurti-Osmani i mashtroi njerëzit, duhet të dalin edhe njëherë para qytetarëve

Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti thotë se qytetarët e Kosovës janë mashtruar sa i përket dialogut, pasi sipas tij, koalicioni mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit i ka pasur disa kushte.

Hoti përmes një shkrimi në Facebook i ka renditur disa nga këto kushte, që sic thotë ishte edhe çështja për Asociacionin.

Sipas tij, marrëveshja e Ohrit ka rënë në kundërshtim me të gjitha këto kushte, dhe sipas tij koalicioni Kurti-Osmani duhet të dalin edhe njëherë para qytetarëve me qëndrime të reja.

Postimi i plotë i Hotit:

Sa i përket dialogut, koalicioni Kurti-Osmani ka hyrë në kontratë me qytetarët e Kosovës më 14 shkurt 2021 me këto kushte:

1. Nuk ka Zajednicë dhe asociacion, siç thoshin “as asi, e as ksi”.

2. Nuk ka dialog pa kërkim falje.

3. Nuk ka dialog pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

4. Rishikim/vlerësim i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme.

5. Dialog vetëm për marrëveshje finale për njohje reciproke.

6. Reciprocitet me Serbinë në çdo gjë, që vendoset brenda javësh pas formimit të Qeverisë.

7. Të njëjtat të drejta për shqiptarët në Luginën e Preshevës sikurse për serbët në Kosovë.

Marrëveshja e Ohrit bie në kundërshtim me të gjitha këto kushte. Njerëzit janë mashtruar. Duhet mandat i ri bazuar në këtë marrëveshje. Duhet të dalin edhe njëherë para qytetarëve me qëndrimet e reja të qeverisë.