Hoti: Kishim vetëm dy mundësi që t’i përgjigjemi COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në Kuvend ka thënë se kishin vetëm dy mundësi që t’i përgjigjeshin COVID-19.

“Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes tonë kishim dy mundësi se si t’i përgjigjemi kësaj gjendje të krijuar nga COVID: E para ishte që të nxisim qytetarët tanë të ruajmë distancën, të mbajnë maskën dhe të përkujdesen për higjienën e tyre personale, të obligojmë administratën publike dhe sektorin privat që t’i përmbahen me korrektësi masave mbrojtësi që ne i kemi përmbledhur në manual dhe të përkrahim sistemin tonë shëndetësor dhe atë monitorues me profesionistë shtesë. Mundësia e dytë ishte që të mbyllim sërish njerëzit në shtëpitë e tyre duke ndaluar sërish punën dhe ekonominë”, ka thënë Hoti.

Ai shton se u përcaktuan për opsionin e parë të bashkëjetesës me virusin në distancë, duke mos ndaluar ekonominë, por mbi të gjitha duke luftuar për çdo jetë.

“Si për ato që preken me COVID-19 ashtu edhe për ato që po rrezikohen nga varfëria. Rruga që kemi zgjedhur është më e vështira dhe nuk fitohet vetëm nga profesionistët shëndetësorë, ajo rrezikon të dështojë nëse ne si qytetarë nuk i respektojmë masat. Megjithatë, ne u detyruam që pas rritjes së numrit të të infektuarve të kthejmë disa prej masave shtrënguese. Indikatorët që vinin nga IKSHPK-ja na sinjalizuan që administrata, subjektet afariste e në veçanti gastronomia paraqesin rrezik në shpërndarjen e virusit”, ka thënë Hoti.

Ai ka treguar se kufizimi i lëvizjes është bërë edhe në katër komuna të tjera.

Hoti ka treguar kufizimi është bërë në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Gjilan, Fushë Kosovë, Shtërpcë, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan nga ora 21:00-05:00 ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave jashtë shtëpive (qarkullimi lejohet për raste urgjente shëndetësore).

Ai ka shtuar se ndër masat e tjera është edhe obligimi i të gjithë banorëve që të mbajnë maskat. Sipas tij ky vlerësohet se është kushti themelor për uljen e numrit.