Hoti këshillë Qeverisë për takimin me emisarët: Mbahuni fuqishëm në parime

Ish-kryeministri, aktualisht deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, njëherësh edhe ish-kryeministër i Kosovës, ka këshilluar Qeverinë që të mbahet në parimet që duhet të respektohen në negocim të marrëveshjes me Serbinë.

Hoti këshillën e tij e ka paraqitur në ‘Facebook’, duke shpresuar se ekipi negociator kosovar ka përgatitur planin për emisarët, të cilët tashmë janë në takim me kryeministrin Kurti.

“Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, që ruan karakterin unitar të shtetit të Kosovës, që i adreson të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve një herë e përgjithmonë në mënyrë që dy vendet të rrugëtojnë drejt integrimit evropian”, ka deklaruar Hoti.

“Shpresoj që Qeveria dhe ekipi negociator kanë përgatitur planin e tyre dhe propozimet për emisarët për dialog që sot janë në Prishtinë”.

“KËSHILLË: Mbahuni fuqishëm në parimet që duhet të respektohen në negocimin e marrëveshjes. Mos bëni kompromis në qëllimet e dialogut, por gjeni modalitetet e nevojshme për arritjen e marrëveshjes. Koordinohuni me aleatët tanë!”, përfundon postimi i deputetit Hoti.