Hoti kërkon koordinim dhe përkushtim nga ambasadorët

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një video konferencë me ambasadorët e Kosovës, të cilët shërbejnë në misione diplomatike nëpër vende të ndryshme në botë.

Siç bëhet e ditur në një konferencë për media, njoftohet se Hoti ka thënë se ambasadorët janë përfaqësuesit më të denjë për të prezantuar Kosovën në vendet ku ata shërbejnë dhe për këtë është i rëndësishëm koordinimi dhe përkushtimi maksimal në punën e tyre.

I pari i Qeverisë po ashtu, ka kërkuar nga ambasadorët që me punën e tyre të jenë zë i fuqishëm i Kosovës në botë, pasi që sipas tij, Kosova është në një fazë shumë të rëndësishme të shtetndërtimit dhe konsolidimit të përgjithshëm.

“Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në procesin e rimëkëmbjes ekonomike si pasojë e pandemisë COVID -19, si dhe në shumë procese nëpër të cilat është duke kaluar Kosova”, vijoi Hoti.

Duke folur për projektet zhvillimore në Kosovë në planin e brendshëm, ai tha se Qeveria është duke punuar me përkushtim në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një klime të favorshme për investimet e huaja.