Hoti i premton ndihmë Tuzit për implementimin e Programit

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Komunën e Tuzit.

Hoti u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit të Tuzit Fadil Kajoshaj, Nënkryetari i Komunës Simon Ivezaj, Nënkryetari i Komunës Haris Ramoviç dhe Sekretari për Kulturë Sami Raxhoviç.

Koordinatori Hoti prezantoi para përfaqësuseve të komunës Programin Nacional dhe Ndërshtetëror për Rininë duke premtuar se do t’i ofrojë ndihmë për implementimin, raporton Ballkani.info

“Programi Nacional për Rininë është një program i veçantë që lidh të rinjt e të gjitha komuniteteve dhe u mundëson të rinjve që pa dallim të përfshihen në garë”, tha Hoti.

Kryetari i Kuvendit Fadil Kajoshaj tha se është shumë i lumtur që po vihen themelet e bashkëpunimit me Kosovën me një projekt shumë të rëndësishëm për nxënësit.

“Çdo iniciativë nga Kosova është e mirëseardhur. Kjo e sotmja është hap shumë pozitiv për të nisur bashkëpunimin për nxënës”.

Ndërkaq, nënkryetari i komunës Simon Ivezaj theksoi gatishmërinë që së bashku të shohin mundësitë e implementimit të programit.

Nënkryetari i komunës Haris Ramoviç, në emër të komunitetit boshnjak tha se është shumë i interesuar për zbatimin e Programit Nacional për Rininë edhe në Rozhajë e Novi Pazar.