Hoti ende asnjë fjalë për Driton Selmanajn, a pritet ta shkarkojë zëvendësin e tij

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për deklaratat e zëvendëskryeministrit, Driton Selmanaj në lidhje me të pagjeturit.

Që nga dita e djeshme po kërkohet shkarkimi i Selmanajt, madje për këtë çështje është nisur edhe një peticion në rrjetet sociale.

Ky peticion i cili ka nisur mbrëmë, deri sot në mëngjes është nënshkruar nga gati 2 mijë persona.

Qeveria ende nuk ka reaguar lidhur me këtë kërkesë, mirëpo deputetë të LDK-së gjatë ditës së djeshme i kanë dalë në mbrojtje Selmanajt duke thënë se deklarata e tij është keqinterpretuar.

Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i ka thënë se deklarata e zëvendëskryeministrit, Driton Selmanaj në lidhje me viktimat e luftës është nxjerrë nga konteksti.

“Sa i përket deklaratës së zëvendëskryeministrit, nuk e kam pa debatin, por me aq sa mujta me e lexu mu dok e nxorën prej kontekstit”, ka thënë ndër të tjera Gashi në Komisionin Parlamentar për të pagjeturit.

Vetë Selmanaj reagoi me një postim në Facebook, ku tha se deklarata e tij është manipuluar për qëllime politike.

Sipas tij, deklarata e tij ka qenë e fokusuar drejt atyre që po e përdorin temën e të pagjeturve për përfitime politike.

“Deklarata ime e mbrëmshme është thënë vetëm dhe vetëm në këtë kontekst: MJAFTË më se jemi lodhur me përdorimin e temave tepër të ndjeshme për qëllime tejet të ulëta politike.

Kushdo që provon që me tema të tilla të ndërtoj kauzë politike kundër kundërshtarëve politik, apo të provoj që mbi to të ndërtoj karrierë politike është TURP, TURP që as toka nuk mund ta mbaj”, shkroi Selmanaj ndër të tjera.