Hoti e Vuçiq mund të kthehen me fluturimin e njëjtë në Bruksel

Gjatë 3 dhe 4 shtatorit do të zhvillohen takime intensive në mes të palës kosovare dhe asaj serbe në Washington, me ndërmjetësimin e këshilltarëve kryesorë të Donald Trump, Robert O’Brien dhe Richard Grenell.

Derisa sot Brukseli ka njoftuar edhe zyrtarisht se takimi i nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet më 7 shtator.

T7 është duke i ndjekur përsëafërmi këto zhvillime në Washington, dhe siç ka treguar Berat Buzhala në një lidhje direkte në FRONTAL, ka shumë gjasa që kryeministri, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb, Aleksander Vucic, të kthehen drejt Brukselit me të njëjtin aeroplan.

Ndërkohë ka thënë se nuk ka informacione se çfarë do të ndodh me pjesën tjetër të delegacionit të Kosovës që ndodhet në Washington.

Bisedimet në SHBA do të kenë karakter ekonomik, derisa s’është përjashtuar që mund të ketë edhe tema të tjera që do të diskutohen.

Sa i përket pjesëmarrjes së mundshme të Donald Trump në takimin Kosovë-Serbi, pala amerikane ka thënë se një gjë e tillë ende s’është vendosur.