Hoti e thërret Osmanin në telefon për koronavirus, flasin edhe për misionet diplomatike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njofton se sot e ka telefonuar u.d e presidentit Vjosa Osmani për t’i uruar shërim të shpejtë në përballjen me koronavirusin.

Po ashtu Hoti thotë se e ka njoftuar Osmanin për përmbylljen e analizës së rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike të Kosovës. Mbi bazën e kësaj analize, ai shkruan se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës.

Postimi i tij i plotë:

Sot, në një bisedë telefonike, i kam uruar shërim të shpejtë Kryetares së Kuvendit dhe ushtrues së detyrës së Presidentes, znj. Vjosa Osmani.

E njoftova znj. Osmani se Qeveria e Republikës së Kosovës do të përmbyllë së shpejti analizën e rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike të Kosovës. Mbi bazën e kësaj analize, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme: (1) për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës; dhe (2) përbërja e misioneve diplomatike të jetë në përputhje me ligjin.

Hoti ka shkruar për misonet diplomatike pasi Osmani sot tha se nuk e ka emëruar konsull djalin e Haxhi Shalës, teksa shtoi se deri tani as edhe një dokument i vetëm nuk i është sjellë për shqyrtim, sa i përket shërbimit diplomatik, nga ana e Qeverisë. Edhe përkundër faktit se ajo ka bërë kërkesë.