Hoti e pyet Kadri Veselin: Pse po nervozohesh kur përmenden vrasjet e aktivistëve të LDK’së

Kreu i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti nga Amerika ka kritikuar ashpër kreun e PDK-së, Kadri Veselin e deklaratën e tij për historianin Jusuf Buxhovi. Hoti po thotë se deklaratat e Veselit plot mllef janë shqetësuese.

Hoti që ndodhet në Uashington si pjesëmarrës në forumin parlamentar në kuadër të Partneritetit për Demokraci, që organizohet nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan, ka komentuar në një intervistë për Zërin e Amerikës deklaratën e historianit Jusuf Buxhovi për vrasjet e pas luftës.

I njëjti po thotë se janë shqetësuese posaçërisht deklaratat e krye parlamentari Kadri Veseli drejtuar Buxhovit.

“E para unë mendoj që ne duhet të respektojmë fjalën e lirë të gjithsecilit, nëse nje historian shpreh opinion e tij është e pakuptimtë që politikanët me ju lëshu në qafë”, tha deputeti i LDK-së, derisa foli edhe për vrasjen e veprimtarëve të LDK-së.

“Është fakt që pas luftës janë vra veprimtarë politik që janë të LDK-së, raste që nuk janë zbardhur deri më tani, reagimet që i kam parë deri më tani veçanërisht Veseli janë shqetësuese”, shtoi ai.

Tutje, sipas Hotit është shqetësuese se pse kreu i Kuvendit, Kadri Veseli po shprehet me aq mllef për deklaratën e Buxhovit.

“Fakti që vrasjen nuk janë zbardhur deri më tani tregon që nuk e kanë kryer punën e tyre, fakti që kreu i Kuvendit shprehet me aq mllef kundër kësaj tregon ku e ka hallin, pse e merr me kaq nervozë një deklaratë të një historiani”, tha Hoti.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së duke komentuar situatën me dialogun Kosovë-Serbi, po thotë se tarifa nuk është problem, e që rrugë tjetër pos bisedimeve nuk ka.

“Rrugë tjetër përpos dialogut nuk ka është mirë që pala serbe ta kuptojë këtë çështje, besoj që mesazhet edhe nga SHBA edhe nga vendet tjera mike kanë qenë të qarta. Gjuha është përkeqësuar në të dyja anët e kufirit, por në veçanti te ana serbe. Lufta ka përfunduar para 20 viteve tash duhet të ulemi në tavolinë të bisedojmë. Unë besoj që nuk është tarifa problem, problem është Serbia që nuk është duke e njoftë shtetin”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së ka komentuar edhe idenë për shkëmbim më territore, derisa këtë e ka quajtur çmenduri.

“A është e gatshme Serbia në këtë moment të ulet me Kosovën e të dialogojë, besoj që jo. Në anën e Kosovës nuk besoj se jemi në pozicionin më të mirë sepse realisht besoj që jemi copë copë. Problemi i dialogut me Serbinë nuk është problem i tarifës, tarifa është një arsye e Serbisë për të mos u ulur në tavolinën e bisedimeve.

Besoj që kjo ide veç na ka bo dëm deri më tash, nuk besoj që ka hapësirë për të diskutuar një ide të tillë është aq e ndjeshme, prekja e kufijve ka nënkuptu vetëm luftë. Tash me mëndu dikush me vizatu kufi është çmenduri”, deklaroi Hoti.

Hoti po thotë se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme, pasi që institucionet janë në bllokadë që nga shtatori i vitit të kaluar e se shpejtë do të shkohet para me mocion.

loading…