Hoti: Deklaratë, jo marrëveshje për të pagjeturit

Të martën në Bruksel, mbahet takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës, Besnik Bislimi e të Serbisë, Petar Petkoviq.

Pritjet janë që në mesin e pajtimeve Prishtinë-Beograd të jetë edhe një deklaratë e përbashkët për çështjen e personave të zhdukur në luftë, ende të pagjetur.

Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, për çështjen e të zhdukurve në luftë, Andin Hoti, do të jetë pjesë e takimit të 21 qershorit.

“Është deklaratë, jo marrëveshje, për këtë kemi negociuar që nga shtatori i 2021-ës. Nëse arrihet do të jetë dokument mes dy shteteve , si dokument final do të nënshkruhet nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë” tha Hoti, para nisjes për në Bruksel.

Sipas Hotit, Serbia heziton të pajtohet me disa pika të deklaratës siç është formulimi që personat e pagjetur janë zhdukur me forcë. Kosova është në kërkim edhe të 1620 personave, që u zhdukur në luftë.

“Ne duam që Bashkimi Evropian të bëhet garant i zbatimit të gjitha pikave të dokumentit, si dhe trajtimin e të pagjeturve përmes ligjeve që janë në linjë me ligje ndërkombëtare, si dhe hapjen e arkivave shtetërore policore e ushtarake” shtoi Hoti, i cili është edhe kryesues i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur.