Holanda mund të zgjasë masat parandaluese deri në shkurt

Bllokimi kombëtar në Holandë, për të shmangur përhapjen e Covid-19, mund të zgjasë deri në mes të shkurtit. Lajmi është konfirmuar nga një prej zyrtarëve më të lartë të shëndetit në Holandë.

Jaap van Diesel, kreu i kontrollit të sëmundjeve infektive në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (RIVM), ka thënë se rreth 2 milion njerëz në Holandë, një vend me një popullsi totale prej 17 milion, janë infektuar. Ndërkohë, që ka shtuar se vaksinimi do të nis në muajin janar dhe dozat e dyta në shkurt, vetëm pas këtij momenti mund të hiqen kufizimet.

“Ne do të fillojmë vaksinimet në janar, me dozën e dytë që vijon në mes të shkurtit. Nga ai moment e tutje, do të jetë e mundur të hiqen pjesërisht kufizimet ndaj atyre që janë vaksinuar,”- tha Van Diesel, kreu i grupit që këshillon qeverinë Holandeze.
Holanda vendosi një bllokim të ashpër, të dytë në mes të dhjetorit, fillimisht për pesë javë. Ndër masat në fuqi është mbyllja e të gjitha dyqaneve dhe shkollave. Sakaq, ditën e djeshme, spitalet në Holandë paralajmëruan se do të detyrohen të shtyjnë operacionet kritike, pasi numri i pacientëve me Covid-19 u rrit me 60%.

Që prej fillimit të pandemisë në Holandë janë shënuar 787,300 raste infektimi dhe kanë ndërruar jetë 11,324 pacientë.