Holanda: Jemi dakord që Kosovës t’i liberalizohen vizat

Trendi pozitiv i Raportit të Progresit të KE-së për Kosovën për vitin 2022, ka bërë që Holanda të bie dakord që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Ministria e Punëve të Jashtme e këtij vendit, ka thënë se në Kosovë kanë parë progres në luftën kundër korrupsionit, teksa e kanë përgëzuar Qeverinë Kurti për progresin në fushën e reformave.

“Holanda tani mund të bie dakord për liberalizimin e vizave pasi përditësimi i Komisionit dhe raporti i progresit tregojnë një trend pozitiv”.

“Kemi parë kryesisht progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, migrimin dhe menaxhimin e kufijve dhe luftën kundër terrorizmit. Ne përgëzojmë progresin e bërë në agjendën e reformave nga qeveria Kurti”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së së Holandës për Klankosova.tv.

Tutje, në përgjigje thuhet se ky progres i Kosovës duhet të vazhdojë dhe se qeveria holandeze do të monitorojë progresin në këtë drejtim.

“Është shumë e rëndësishme që Kosova të harmonizojë më tej politikën e saj të vizave me politikën e vizave të BE-së”, është shprehur ministria e Punëve të Jashtme të Holandës.

Kujtojmë se Holanda ishte njëra nga shtetet më skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën.