Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, priti sot në takim ambasadoren e Holandës në Prishtinë, Gerrie Willems.

Në takim u bisedua për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Holandës, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Holandës.

Berisha e falënderoi  ambasadoren e Mbretërisë së Holandës për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i Holandës ka dhënë për Kosovën, në veçanti e falënderoi për donacionin e sotëm në pajisje për mirëmbajtjen e automjeteve, si dhe për marrëdhëniet dypalëshe shumë të mira të Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Holandës.

Gjithashtu, ministri i FSK-së  e njoftoi diplomaten holandeze edhe mbi të arriturat e FSK-së, kapacitetet, integrimin e gjinisë femërore dhe të komuniteteve në FSK, procesin e tranzicionit  dhe planifikimet për të ardhmen. Ai tha se për procesin e tranzicionit të FSK-së  në vazhdimësi kemi qenë transparent, i kemi informuar të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë për hapat gjatë këtij procesi’’.

Nga ana e saj, ambasadorja Willams, pasi e përgëzoi ministrin Berisha për sukseset e konfirmoi edhe gatishmërinë e Holandës për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së dhe Kosovës në përgjithësi.