Kritikët e Manchester Unitedit kanë sugjeruar se forma e dobët e “Djajve të Kuq” buron nga mungesa e dëshirës së futbollistëve, por ish përzgjedhësi i kombëtares së Anglisë, Roy Hodgson insiston se kjo nuk është arsyeja.

Vendimi i Victor Lindelof për të vazhduar lojën edhe pas lëndimit që e pësoi në sfidën e fundjavës së kaluar ndaj Crystal Palace, është dëshmi se skuadra e Mourinhos nuk vuan nga mungesa e dëshirës, mendon Hodgson.

United pati një tjetër paraqitje zhgënjyese në “Old Trafford” kundër lonindezëve, teksa ishte edhe me fat që e mori një pikë ndaj Crystal Palacet, skuadër që i kishte humbur 3 ndeshjet e fundit.

Forma e United është kritikuar nga tifozët dhe analistët për mungesën e motivimit, por Hodgson ka theksuar rëndësinë e qasjes së Lindelof që qëndroi në fushë i lënduar kur United i kishte kryer 3 zëvendësimet.

“Nëse dikush ka dyshime për dëshirën dhe përkushtimin e Manchester Unitedit, do të mjaftonte Lindelof për t’i demantuar. Qasja e tij pasi u lëndua në duelin me Zahan dhe Ayewin tregon shumë. Po të isha tifoz i Unitedit, ai moment do të ishte më emocionuesi në atë ndeshje. Do të më jepte shumë kënaqësi në aspektin që nuk ka vetëm futbollistë me cilësi të jashtëzakonshme, por keni edhe atë nivel të vendosshmërisë dhe shpirtit”, tha Hodgson.

Manchester United nesër pret Young Boysin në “Old Trafford” në ndeshjen e vlefshme për grupet e Champions Leauge, kurse me një fitore potenciale “Djajtë e Kuq” do të kalonin në fazën tjetër të kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Europë.