Marko Attila Hoare

Hoare: Rikthimi i Trump e synimet e Serbisë – rrezik për Kosovën dhe Ballkanin

Një ndër komentatorët e njohur të çështjeve ballkanike, studiuesi dhe historiani britanik, Marko Attila Hoare, konsideroi se një mandat i dytë i Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), kjo e kombinuar nga synimet hegjemoniste të Serbisë krahas fqinjëve, mund të rezultojë në një luftë tjetër të mundshme në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për gazetën boshnjake “Slobodna Bosna” të martën, njohësi i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ngjeshur nga tensionet, theksoi se rikthimi i Trump, gjithmonë nëse fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor të vitit 2024, pasuar nga një fitore vendimtare e Rusisë në Ukrainë, mund të rezultojë në ripërtëritjen e krizave.

“Kjo ka të ngjarë të rezultojë në një krizë tjetër të madhe, ndoshta një luftë tjetër – përsëri, veçanërisht nëse Rusia fiton me vendosmëri në Ukrainë dhe/ose Trump ri kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Natyrisht, kjo paraqet rrezik për fqinjët e Serbisë dhe për rajonin. Lufta mund të ndikojë në unitetin e vetë NATO-s”, nënvizoi Hoare, i cili është autor i disa librave mbi rajonin.

Dhe në një mjedis të tillë krize dhe paqëndrueshmërie, posaçërisht në një rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike, sipas studiuesit dhe profesorit britanik, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të jetë në gjendje të llogarisë në simpatinë e liderëve dhe politikanëve perëndimorë pro-rusë.

Kosova shpejt do ta gjejë veten në rolin e spektatores së fragmentimeve politike brenda Bashkimit Evropian (BE). Në zgjedhjet evropiane, çështja për të vëzhguar është se sa forcohet rryma anti-liberale dhe e djathta ekstreme, ndërsa procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi pritet të matet edhe në kontekstin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

VIDEO BONUS: Ambasadori amerikan thirrje BQK-së: Të shtyhet zbatimi i vendimit për ndalimin e dinarit