Historike: Nis asfaltimi i rrugës ‘Muharrem Fejza’ VIDEO

Nga 27 prilli i këtij viti rruga “Muharrem Fejza” në kryeqytet është e bllokuar për shkak të punimeve për rikonstruktim.

Pas shumë zvarritjeve të punimeve sot ka filluar asfaltimi i rreth 200 metrave të para të kësaj rruge.

Fillimin e punimeve të rrugës “Muharrem Fejza” e konfirmoi për KALLXO.com edhe menaxheri i kontratave për këtë rrugë, Qazim Bajrami.

“Po, sot kemi filluar me asfalstu një segment prej 200 metra të rrugës. Punimet kanë me vazhdu për këtë pjesën me trotuare dhe me ndriçim. Pjesën tjetër njëherë nuk mundemi me vazhdu shkaku i Termokos edhe KEDS-it. Nuk e di kur kanë me i kry punimet KEDS edhe Termokos”, tha menaxheri i kontratës, Qazim Bajrami.

Fillimin e punimeve e pati paralajmëruar ditë më parë drejtori i Investimeve Kapitale dhe menaxhim të kontratave, Gëzim Mehmeti.

Ai para banorëve të kësaj ane të cilët ishin duke protestuar tha se ishte shprehur i pakënaqur me punën e disa operatorëve ekonomik, të cilët, sipas tij, nuk janë të kontraktuar nga Komuna.

‘’Punimet nga ana e operatorëve ekonomikë të cilët nuk janë të kontraktuar nga ana e Komunës nuk janë duke e kryer punën sipas dinamikës së paraparë’’, kishte deklaruar drejtori Mehmeti.

Kosto e punimeve të kësaj rruge janë 700 mijë euro. Sipas kontratës, kjo rrugë është parapa të kryhet për 120 ditë.