Estonia është shteti i tetë që vendos sanksione ndaj ish-presidentit të entitetit RS të Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik. Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, tha se vendi i tij po vendos sanksione kundër dy personave që “minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve dhe inkurajojnë separatizmin”.

“Në pikat strategjike të ndikimit rus, është racionale që shtetet në krahun lindor të Bashkimit Evropian janë më të interesuara për sigurinë e tyre, e cila, që nga fillimi i sulmeve ruse ndaj tri republikave baltike dhe Polonisë, po cënohet dita-ditës. Në këtë kuptim, është sikur po përsëritet agresioni sovjetik i vitit 1939 dhe 1940. Milorad Dodik sigurisht që nuk ka ndërmend të udhëtojë në Estoni, e cila, besoj, për të është një vend armik. Duke vendosur sanksione ndaj tij, Estonia po i tregon Berlinit dhe Parisit se çfarë lloj vendimesh duhet të merren në lidhje me Dodikun dhe Vladimir Putinin”, – thotë për portalin vijesti.ba me bazë në Sarajevë, historiani Nikola Samarxhiq, profesor i Fakultetit të Filozofisë në Beograd.

A po e dëgjojnë këtë Berlini dhe Parisi?

SAMARXHIQ: Besoj se dëgjojnë, por Putini është më i zëshëm. Ndoshta ata vlerësojnë se në këtë moment Dodiku nuk është në gjendje të përdorë agresion të armatosur – megjithëse edhe Vuçiqi po kërcënon – dhe se kjo nuk është koha për të ushqyer mitin për pushtetin e tij të vërtetë ose të imagjinuar.

Cili është pushteti i vërtetë politik i Dodikut sot?

SAMARXHIQ: Përgjigja e kësaj pyetjeje do të ishte komplekse dhe mund të kërkohet në trekëndëshin Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kroaci, nën ombrellën e përbashkët ruse. Për Kroacinë, Dodiku është një mjet presioni mbi Sarajevën, në kuptim të riorganizimit kushtetues, i cili do të çonte në krijimin e entitetit të tretë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Për më tepër, HDZ ka rrymën e vet ruse, me të cilën duhet të merret Plenkoviq.

Për Beogradin, Dodiku shërben si një gogol, dhe është bërë edhe simbol dhe  faktor i vazhdimësisë së politikës së copëtimit të dhunshëm të Jugosllavisë dhe i ndarjes së Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila ishte parashikuar me marrëveshjen e Beogradit dhe Zagrebit të vitit 1992. Është shumë indikative çfarëdo qëndrimi të qartë të opozitës në Serbi ndaj fatit politik të Milorad Dodikut. Si opozita parlamentare ashtu edhe lëvizja studentore shmangin mbështetjen e opozitës së Dodikut në entitetin boshnjak të Republikës Serbe, që ka kandidatë të besueshëm dhe funksionalë.

Cilët kandidatë?

SAMARXHIQ: Igor Crnadak apo Branislav Borenoviq. Pikëpamjet e tyre janë më racionale dhe personalisht të pranueshme për mua sesa oferta e opozitës parlamentare dhe studentëve në bllokadën në Serbi. Politika e Dodikut në vetvete çoi në nevojën për një qëndrim plebishitar, i cili do të duhej të nënkuptojë edhe përcaktimin evropian. Dodiku dhe Vuçiqi vazhdojnë politikën e Slobodan Milosheviqit, Radovan Karaxhiqit dhe Dobrica Qosiqit, të cilën, në një kuptimin më të gjerë, e mori Vladimir Putin.

Beogradi, thoni ju, e trajton Dodikun si një gogol. Në ç’kuptim?

SAMARXHIQ:  Radovan Karaxhiqi në muajin mars të vitit 1991, kërcënoi studentët që demonstruan kundër Milosheviqit në Terazijska Çesma. Regjimi i Milosheviqit po e merrte gradualisht lëvizjen studentore, njësoj si çdo të mëparshme dhe çdo të mëvonshme. Karaxhiq u kanos atëherë se do të sillte në Beograd  një milion boshnjakë dhe do të shuante protestën studentore, e cila në atë moment ishte tashmë më pro-Karaxhiqit sesa  që ishte „karaxhicas“ vetë Millosheviqi.

Nëse po bëjmë analogji, a është protesta studentore sot më pro-Dodikut sesa pro-perëndimore?

SAMARXHIQ: Protesta studentore mori qëndrimin e Rusisë, e cila në vitin 2013 në Maidan u përpoq që, përmes kandidatëve, agjenturave dhe shërbimeve të saj, të shuante përcaktimin e Ukrainës për në Bashkimin Evropian. Kjo u bë e qartë në janar të këtij viti, kur në protestën në Kragujevc u paraqitën simbolet e para të mbështetjes për Vladimir Putinin, përkatësisht agresionin rus në Ukrainë. Këto simbole mbetën të pranishme në çdo tubim, madje edhe kur United Media – N1, NovaS  të Sholakut organizoi vrapin e studentëve në Strasburg dhe Bruksel. Disa here u keqtrajtuan ata qytetarë dhe studentë që guxuan të dalin në protestë me flamurin e BE-së. Gjithashtu, flamujt e Ukrainës ose Gjeorgjisë u ndaluan në heshtje. Lëvizja studentore nuk është distancuar kurrë qartë, pa mëdyshje dhe me vendosmëri nga simbolet e Putinit, e as nga incidente të tilla.
Në takimin më të madh të mbajtur ndonjëherë në Serbi, atë të 15 marsit 2025, dhe më pas edhe në “Kuvendin e Vidovdanit” tre muaj më vonë, u konfirmua kthimi në politikën origjinale të Gazimestanit dhe Qosiqit. E konfirmoi edhe slogani jozyrtar i protestës studentore: “As në Lindje, as në Perëndim”. Në përkthim: jo në Perëndim, jo në BE, jo në NATO.

Edhe pse në protesta nuk ka shenja të BE-së, studentët shkuan në Bruksel, jo në Moskë.

SAMARXHIQ: Po, por si Vojislav Sheshel ose Sergej Lavrov, jo si Zoran Gjingjiq. Në Serbi, nuk ka funksionar publik publik që është deklaruar për Bashkimin Evropian: rektori, dekanë, ministra, prokurorë, gjyqtarë, gjyqtarë të shkarkuar ose prokurorë që ruajna zot janë në opozitë. Asnjë!

Megjithatë, a ka ndonjë midis partive opozitare ndonjë që është përë BE-në? Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, për shembull, organizon ftribuna dhe flet për rëndësinë e hyrjes së Serbisë në BE.

SAMARXHIQ: 25 vjet më parë, opozita shpalli fitoren e Vojislav Koshtunicës dhe kështu më 5 tetor 2000, e shkarkuam Milosheviqin. Mirëpo, edhe atëherë zgjedhja u bë midis kandidatit rus Milosheviqit dhe kandidatit rus Koshtunicës. I privuar nga pushteti i vërtetë, Milosheviq ishte për Moskën – e kaluar. Ndoshta vetëm disa prej nesh e dinim se Vojislav Koshtunica ishte punonjës i shërbimit rus, që e la Millosheviqin të dështonte. Putini ishte tashmë në pushtet dhe tranzicioni të cilin, për interesat e tij, e lejoi Boris Jelcini, tashmë kishte avancuar.

Në janar të vitit 1996, kur u revokua Andrey Koziriev, Rusia hyri në procesin e përcaktimit dhe zbatimit të një strategjie të re të politikës së jashtme dhe të sigurisë, duke e shpallur përsëri NATO-n kërcënimin më të madh; në të njëjtën kohë, zgjerimin e BE-së dhe NATO-s drejt Evropës Lindore dhe Mesdheut e interpretuan si armiqësor. Pavarësisht gjithçkaje, në Serbi atë 5 tetor 2000, triumfoi përkohësisht ideja evropiane. Ne kishim liderë të shkëlqyer, pikëpamje të qarta për të ardhmen, ndërsa Zoran Gjingjiq, Vladan Batiq, Çeda Jovanoviq, Zharko Koraq, ia dolën ta mashtrojnë si Milosheviqin ashtu edhe Koshtunicën dhe ta drejtojnë procesin politik drejt zgjedhjeve të 23 dhjetorit 2000, pas të cilave Gjingjiq u zgjodh kryeministër.

Çfarë doni të thoni?

SAMARXHIQ: Nuk ka integrim evropian pa lidership, pa personalitete të mëdha, pa ide të mëdha, pa karizëm, pa energji, pa tru. A ju kujtohet viti 1989, Vaclav Havel, “revolucioni i kadifenjtë“ çek, i cili ishte një prelud për integrimin e Evropës Lindore? Polonia u shkëput nga viti 1956, nga viti 1980, kur u themelua lëvizja Solidarnost.

Ne në Serbi, nuk kemi opozitë politike, as lëvizje civile që janë për BE-në, NATO-n, për Perëndimin, për kapitalizmin, për individualizmin, për etikën e përgjegjësisë. Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) që e përmendni ishte një nga marrëveshjet e shtetit të thellë dhe çarshisë orientale beogradase, qëllimi i vetëm i vërtetë i së cilës ishte të mos paraqitej ndonjë LDP 2, sepse Partia Liberale Demokratike (LDP) origjinale e Çedomir Jovanoviqit kishte vdekur tashmë. Kujtoni britmat dhe ulërimat kur më 2005 themeluam LDP-në, si dhe shpërthimin e urrejtjes, nxitjen e dhunës kundër disa prej nesh personalisht. Koalicionin joformal mediatik që kryente atë punë e përbënin Kurir, Večernje novosti dhe B92, ai B92-shi. Nuk mbaj mend reagime të ngjashme kur u shfaq PSG ose Forumi Qytetar Demokratik (GDF).

SAMARXHIQ: E saktë, por brenda kufijve të establishmentit policor për sa i përket përkatësisë së përbashkët. Po, fushata ishte e neveritshme, Jankoviq më vonë mori një numër të madh votash në zgjedhjet presidenciale. Mirëpo, ky sukses, konkretisht, ishte shterp, pasi pas tij dhe të të gjitha atyre organizatave nuk mbeti asgjë për sa i përket ideve, përcaktimeve dhe energjisë. E përsëris, ne na duhen liderëe jo oportunistë të vyshkur. A do të shfaqet ndonjë i ri? Shpresoj. A do ta përshpejtojë BE-ja integrimin e Serbisë? Është e domosdoshme që BE-ja të marrë përsipër rolin e SHBA-së si në aspektin e politikës publike ashtu edhe asaj të fshehtë, kur është tashmë e qartë se, më shumë se Serbia, Brukseli është i gatshëm ta integrojë Serbinë. Trimëron sidomos qëndrimi i Kroacisë. Serbia nuk ka partner më të mirë për të ardhmen sesa Kroacinë, dhe ajo ka nevojë – si në BE ashtu edhe në kuptimin e fqinjësisë – për një reciprocitet të ri.

Nëse të gjitha partitë politike i themelon regjimi, mbi ç’bazë e mbështetni shpresën për një forcë të re në skenën politike të Serbisë? Si do ta dini që edhe këtë të “re” nuk e ka themeluar shteti i thellë? Së dyti, ju thoni se nuk ka Serbi evropiane pa një udhëheqës karizmatik. Nëse të tillë nuk ka në Evropë, si do të jetë në shtetet tona fatkeqe në Ballkanin Perëndimor?

SAMARXHIQ: DOS  e mundi më 2000 Milosheviqin falë mbështetjes së Perëndimit, edhe pse elektoratit iu desh t’i ofrohej një kreaturë e re kremoze. Sepse i tillë është trupi votues. BE doli nga tregu i përbashkët, ndërsa rregullimi i saj kushtetues pengon lidershipin – shtetëror dhe individual – në fushat e diplomacisë dhe  të sigurisë. BE-ja e bëri me  sukses zgjerimin në vitet 2004, 2006, 2013 dhe nuk kishte nevojë për lidership deri në krizat e para serioze: Ukraina në vitin 2014, kriza e emigrantëve dhe ajo siriane në vitin 2015, Brexiti dhe Donald Trump më 2016. Angela Merkel dhe Federica Mogherini ishin personalitete të shquara, por në zbatimin e interesave të Kremlinit.

Serbia po përballet me një zgjedhje të ngjashme si më 5 tetor: Pra, a jemi për njërin prej tyre apo për tjetrin prej tyre, si mund ta mashtrojmë elektoratin dhe ta kthejmë Serbinë në rrugën e integrimit në BE dhe integrimit me fqinjët. Pushteti i ndryshon njerëzit, shpresoj se edhe BE-ja do të angazhohet, ose disa nga anëtarët e saj. Edhe ata që marrin pushtetin do të duhet të ndryshojnë. BE-ja është partneri dhe faktori ynë jetësor ekonomik, ndërsa Serbia dhe BeH janë për fat të mirë të rrethuar nga NATO-ja.

Kur më 5 tetor të vitit 2000 po zgjidhnim midis dy kandidatëve të KGB-së, zgjodhëm atë që ishte më pak i gatshëm dhe i aftë që të nxjerrë kundër nesh tanket ruse. Koshtunica në atë moment u mashtrua, anjësoj sikurse u mashtruan edhe votuesit e tij me zgjedhjen e Qeverisë së Zoran Gjingjiqit: Të gjithë ata që hoqën dorë përkohësisht nga Milosheviqi dhe Shesheli. Gjingjiqin nuk e deshi një shumicë e madhe. E pranoi një e dhjeta dhe për këtë arsye edhe u vra.

Pse u vra?

SAMARXHIQ:  Kërkonte reforma të shpejta, ishte një lider i artikuluar, i kulturuar evropian. Ishte e vështirë të pranohej etika e përgjegjësisë së Gjigjngjit e cila e ftonte shoqërinë të merrte në konsideratë gabimet dhe krimet nga e kaluara e afërt; shqyrtimin e së ardhmes së afërt ekonomike, daljen nga komunizmi dhe daljen në treg; veçanërisht të marrëdhënieve me fqinjët jugosllavë. Përveç kësaj, ai kishte tre probleme të mëdha: Tribunalin e Hagës, marrëdhëniet me Malin e Zi, statusin e ardhshëm të Kosovës. Dhe,  Zoran Gjingjiq e pati të vështirë të përballet me sfida të tilla, ndoshta edhe me veten e tij. Vetëm kur Çedomir Jovanoviq themeloi LDP-në në vitin 2005, ishim të qartë: Ose një amputim i menjëhershëm dhe i dhimbshëm i çdo tumori malinj nga e kaluara e afërt ose e largët, ose një vdekje e ngadaltë.

Protesta studentore, thoni ju, është një vazhdim i politikës së Milosheviqit nga Gazimestani. Ku e mësuan studentët? Ku e dëgjuan këtë?

SAMARXHIQ: Vetë liderët, dhe nuk e dimë se kush janë, i dhanë përgjigje pyetjes suaj: Kemi lindur pas 11 korrikut 1995, pas Srebrenicës, dhe para 5 gushtit 1995, para “Stuhisë”. Nuk mbajmë mend Srebrenicën, por mbajmë mend “Stuhinë”. Ata janë fëmijë të prindërve të tyre, studentë të profesorëve të tyre. Të të ashtuquajturve të rinj iu ngjit malinjiteti i asaj çarshisë orientale, të pakuptimtë dhe të kotë që, në vend të rendit të barazisë, lirisë, kulturës, qytetërimit, drejtohet nga ligjet e saj të pashkruara.

Çfarë ligjesh?

SAMARXHIQ: Sheriati komunisto-shënsavian i cili duhet të zbatohet më rreptësisht sesa sundimi i ligjit. Kujtoni fatin e Branko Qopiqit: Ishte superior, ndaj duhej ta shtynin që të zhdukej. Likuiduan Ivan Stamboliqin, ia huqën me Vuk Drashkoviqin,  qëlluan Zoran Gjingjiqin. Miroslav Krlezha ishte i pari që na thirri në mënyrë diskrete ne jugosllavëve që të refuzonim trashëgiminë e të dy luftërave botërore. Në ato kërdi nuk ka asgjë të mirë. Prapseprapë, ne vazhdimisht po qërojmë hesapet: Kush- kë i dhe si ta paguajmë këtë. Heronjtë përjetojnë fat tragjik, por kuptimi është transcendental, në një të ardhme racionale e jo në kthim te precedentët e viktimës së tyre.

E kuptoj zhgënjimin në BE, por si ia doli Bullgaria të integrohej, si u integrua Kroacia, vetëm 18 vjet pasi ishte coptuar?! Dhuna e Vuçiqit, në vetvete, duhet të jetë një udhërrëfyes drejt qytetërimit evropian. Ndërsa rrah, arreston, poshtëron studentët, opozitarët, aktivistët, a do t’i frikësojë me këtë njerëzit? Njeri i frikësuar është i aftë për çdo gjë. Nuk ka të patrembur, ka vetëm menaxhim të frikës. Frika është një mekanizëm i krijuar nga përzgjedhja biologjike, të patremburit janë zhdukur në zinxhirin e evolucionit. Ngadhnjejnë ata  të cilët frikën e tyre e fusin në mekanizmat e qëllimeve të tyre konkrete. Ata mund të mposhtin çdo forcë të ngulfatur, edhe në rrugë, edhe në zgjedhje.

Mendoni se do të ketë zgjedhje? Presidenti Vuçiq paralajmëron Maidanin në Serbi në përvjetorin e tragjedisë në Novi – Sad.

SAMARXHIQ: Nuk do të ketë Maidan më 1 nëntor, sepse Serbia, ndryshe nga Ukraina, nuk dëshiron të hyjë në BE-në. Nëpër rrugët e Serbisë, nuk po zhvillohet  Maidani, por edhe grusht shteti pro-rus, i ngjashëm me atë në Mal të Zi, ku pushteti dhe opozita serbe morën pjesë në likuidimin e pushtetit të parë dhe të fundit evropian malazez.

Nga ana tjetër, Vuçiq po përgatitet qartë për zgjedhjet, të cilat, me sa duket, do të mbahen në pranverë, derisa të mos shuhen stimujt e përkohshëm autarkikë, ekonomikë dhe socialë të Vuçiqit. Aktualisht, duket se Vuçiq dhe SNS do të marrin pak më pak se një shumicë absolute dhe do të duhet të formojnë një koalicion ose me një pjesë të opozitës aktuale parlamentare ose me një pjesë të listës së studentëve. Nëse Vuçiq do të fusë në qeveri agjentë rusë nga partitë opozitare dhe nga lista e studentëve ose atato më të moderuarit, ky vendim do të përcaktojë proceset e ardhshme politike.

Kë prisni në listën e studentëve?

SAMARXHIQ:  Ndjej se shumica në listën e studentëve do të jenë inspiruesit e likuidimit të Kryeministrit Gjingjiq dhe trashëgimtarët e tyre politikë. E vetmja arsye e tyre do të ishte heqja dorë nga  BE-ja. Shumica e deputetëve edhe në Parlamentin e ri të Serbisë do të jenë agjentë të ndikimit rus, por kushtet e përgjithshme, si në Serbi ashtu edhe në fqinjësi do të ndryshojnë me kalimin e kohës.

Si?

SAMARXHIQ:  Besoj, për fat, të kundërtën e asaj logjike inherente të procesit zgjedhor.

Nëse Serbia nuk dëshiron në BE, kurse Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi do të donin, duke marrë parasysh se Beogradi ka një ndikim të madh në këto dy shtete, në Kosovë e ka gjithnjë e më të vogël, a po bëhet rajoni disi peng i Serbisë?

SAMARXHIQ: Shpresoj të mos bëhet. Serbia është individualisht ekonomia më e fortë në Ballkanin Perëndimor, më e madhe se të gjitha ekonomitë bashkarisht. Ajo ka potencialin e saj shkencor dhe teknologjik, por me këmbëngulje zbaton politika të gabuara. Motori disi funksionon, por marsha shkon vetëm prapa.

Integrimi i Ballkanit Perëndimor do të jetë sukses politik për udhëheqësit e BE-së, për ekonominë rajonale dhe në një masë të vogël edhe për ekonominë evropiane. Do të jetë ky një hap i fuqishëm përpara në siguri në një kohë shumë të trazuar, kur BE-ja përballet edhe m agresionin rus që po vazhdon, edhe me krizë e pandalur të  migrantëve. Është me rëndësi të madhe që vendet me shumicë myslimane, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Shqipëria, të integrohen në një shoqëri me kulturë dhe traditë politike kryesisht të krishterë. Kosova është me përcaktim evropian më shumë se Serbia dhe Mali i Zi. Imagjinoni nëse Mali i Zi hy në BE! E gjithë Serbia do të ngrihet, do të thotë se është me origjinë malazeze dhe do të kërkojë pasaporta malazeze. Kështu ishte edhe me Kroacinë.

Po Bosnja dhe Hercegovina?

SAMARXHIQ: Bosnja dhe Hercegovina duhet të bëhet patjetër tërësi politike, brenda kufijve të saj ose brenda BE-së, përndryshe do të zhduket. Në BeH ka potencial të ri, energji të re të hapur me krizën e Dodikut. Nuk e nënvlerësoj ndikimin e tij dhe aftësinë e mentorëve të tij.

Cilëve?

SAMARXHIQ: Vuçiq nuk ka hequr dorë nga Dodiku, ndoshta thjesht e ka spostuar në një pozicion rezervë. Në të njëjtën kohë, Vuçiq nuk do të distancohet përsëri nga Shesheli si në vitin 2012, dhe më duket se nuk ka kthim prapa: Përfunimisht  ai është dobësuar padyshim, falë kthimit kah Shesheli, që është një lajm i mirë.

Një pjesë e opozitës në entitetin e RS-së po paraqitet qartë dhe me vendosmëri dhe ka nevojë për partneritet evropian. Si do të riorganizohet BeH? Daytoni e bëri BeH një shtet tepër kompleks, joefikas dhe të kushtueshëm, kurse çdo zgjidhje kushtetuese do të ishte më mirë t’i lihej procesit të rindërtimit demokratik dhe integrimit në BE. Disa çështje të vështira të ndarjeve të brendshme vetë procesi do t‘i bëj të pakuptimta.
Nga fqinjët, Kroacia ka një interes të fortë që Bosnjë dhe Hercegovina të integrohet në BE. Kroacia është e ngarkuar nga çështja e saj kombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, por ekonomikisht është dominuese, e hapur është çështja e Shengenit, të cilën, në vend të udhëheqësve politikë, e bënë shoferët e kamionëve boshnjako-hercegovinianë. Pavarësisht karakterit politik si të qeverisë ashtu edhe të opozitës, Serbia nuk do të mbetet e izoluar nëse, pas rënies së Dodikut, Bosnja dhe Hercegovina i bashkohet procesit të BE-së. Diçka të ngjashme patëm edhe para 25 vjetësh dhe për pak sa nuk ia dolëm.  Vetëm Gjingjiqi të mos ishte vrarë. Nuk patëm rezervë, por këtë askush nuk e ka.

*Intervista është marrë nga: vijesti.ba/Përktheu në shqip:kdp.mk