LHK-“Ali Hadri”

Historianët e Deçanit i dërgojnë letër Haki Rugovës: Mos rrëno ndërtesën e Burgut të Gurakocit

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova që të mos ta rrënojë Burgun e Gurakocit.

Ata kanë thënë se vendimi për rënimin e tij është i gabuar dhe i ngutur.

Njoftimi i plotë:

I nderuar kryetar Rugova,

Që në fillim të kësaj shkrese që po ju dërgojmë, shprehim shqetësimin tonë më vendimin e Komunës së Istogut, komunë kjo që drejtohet nga ana e juaj, në lidhje me rrënimin e ndërtesës së Burgut të Gurakocit. Ky është një vendim i gabuar, i ngutur, i pa analizuar mirë dhe i papranueshëm.

Rrënimi i një ndërtese apo objekti, i cili në vete përmban historinë e ngjarjeve me të rënda për popullin tonë, është gabim i madh, andaj në shprehem kundër këtij vendimi.

Ndërtesa e Burgut të Gurakocit, është shembulli me i mirë se si shqiptarët, janë vrarë, torturuar në mënyrat me mizorë nga shtetit, populli dhe kisha serbe. Pra, kjo ndërtesë duhet të shërbej si dëshmi për brezat që do të vinë se sa e rendë ishte rruga deri të liria, çlirimi dhe pavarësia e Republikës së Kosovës.

Ndërtesa e Burgut të Guragocit, duhet të rinovohet dhe më një vendim të veçantë të shpallët objekt historik, duke e shndërruar si muze, nga ku gjeneratat e reja do të mund të shohin nga afër të vërteten historike të shqiptarëve, të mësojnë se si populli ynë ka vuajtur deri në ditët që ne sot të jetojmë të lirë, të çliruar dhe të pavarur si dhe në ditët që do të vinë për brezat e rijnë.

Arsyet e kundërshtimit tonë, të vendimit që ka marrë Komuna e Istogut, që të rrënoj ndërtesën e Burgut të Gurakocit, janë të shumta. Pas luftës së fundit për çlirimin e Kosovës 1998-1999, shumë qytetar gjithandej vendit kanë rrënuar kullat e tyre, po ashtu edhe shumë komuna gjithandej vendit tonë ka rrënuar objekte e ndërtesa të vjetar të shkollave, ndërtesa të komunave, e shumë e shumë objekte e ndërtesa më rendësi. Kështu, pra ne si popull dhe si institucionet e vendit, nuk i kanë kushtuar rendësi objekteve të vjetra, e që sot me dashje apo pa dashje ne kemi humbur gjurmë të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare.

Pra, kërkojmë nga ana e juaj, që të revokoni vendimin për rrënimin e ndërtesës së Burgut të Gurakocit.

I nderuar kryetar Rugova,

Rrënimi i ndërtesë së Burgut të Gurakocit, është vendim i gabuar, i ngutshëm dhe i pamenduar mirë. Me rrënimin e kësaj ndërtese, ne do të humbin pjesë të historisë sonë, histori kjo e dhimbshme dhe ky veprim do të jetë i pariparueshëm për historinë tonë.

Qe këndej, konstatojmë se vendimet politike, pra që vinë nga institucionet politike, duhet të merren në të mirë të përgjithshëm, ngase vendimet politike shndërrohet në vendime historike. Pra, mos lejo që një vendim i komunës tuaj, të hy në histori për të keq, por vendimi le të jete shembull për të mirë, për të ruajtur dhe çmuar ndërtesat dhe objektet historike, të cilat në vete përmbajtën ditët më të vështira dhe të pikëlluar të popullit tonë.

Shqiptaret e Kosovës, edhe për kundër që u burgosën, u vranë e u torturuan në ndërtesat si Burgu i Gurakocit, e gjitha andej vendeve të tjera në Serbi e Jugosllavi, për asnjë here e asnjë moment nuk u shua ndjenja për liri, çlirimin dhe pavarësi nga pushtimi dhe pushteti serb. Pra, pushteti gjenocidial serb, nuk ka mundur për asnjë moment të na thyej si popull. Ne, jemi të obliguar që të mbrojmë vlerat tona kombëtare dhe në të njëjtën kohë të ruajmë ndërtesat dhe objektet ku u shkruan faqet më të dhimbshme të historisë sonë.

Duke ju uruar punë të mbarë, mbesim me shprese që shkresa e jonë do të merret parasysh nga ana e juaj.

Me respekt,

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan