Historia përsëritet: Ushtria drejtohet nga Jasharët

Pas shumë vitesh, familja e Jasharëve është duke e drejtuar sërish ushtrinë e Kosovës. Në pjesën e fundit të të 90-ave, ishte Adem Jashari në udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa tani, kur Kosova është e pavarur, nipi i Ademit, djali i Rifat Jasharit, Bashkimi është në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pozitë kjo në të cilën është emëruar sot.

Ushtria të cilën e drejtoi Adem Jashari, daljen e parë publike e pati më 28 nëntor të vitit 1997 në fshatin Llaushë të Skënderajt. Kjo ushtri pati synim çlirimin e Kosovës dhe largimin e forcave serbe.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shtëpia e familjes Jashari ishte rrethuar nga forcat e ushtrisë serbe, ku të vrarë mbetën 52 anëtarë të këtij fisi, e ku në mesin e viktimave kishte fëmijë.

Ky ishte sulmi i tretë ndaj familjes së Shaban Jasharit i cili ishte babai i komandantit legjendar Adem Jashari.

Bashkim Jashari u emërua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për të drejtuar FSK-në, pas dorëheqjes së dhënë nga Rrahman Rama.