Atalanta e eliminoi Juventusin nga Kupa e Italisë, duke e mundur me rezultat 3-0.

Kjo ishte fitorja më e madhe në karrierë për Toloin, por menjëherë pas ndeshjes ai e ka pranuar lajmin e hidhur, pasi bashkëshortja e tij, Flavia, e ka humbur fëmijën, shkruajnë mediat italiane.

Flavia para ndeshjes e kishte kuptuar se e kishte humbur fëmijën, por nuk kishte dashur t’i tregojë burrit të saj, derisa të përfundojë ndeshja.

“Para fillimit të ndeshjes i kam telefonuar gruas dhe vajzës. Më dukej se diçka nuk ishte në rregull. E njoh shumë mirë gruan time, prandaj edhe e kam pyetur se çka ka ndodhur. Ajo ka 10 javë që është shtatzënë dhe ka shkuar në kontrollë. E kam lutur t’i incizojë të rrahurat e zemrës së foshnjës dhe të m’i dërgojë, ndërsa ajo më ka thënë se e ka të zbraztë baterinë e telefonit”, ka thënë Toloi.

“Kemi fituar një ndeshje ndaj njërit prej klubeve më të mëdha në botë me rezultat 3-0. kam përjetuar çaste të shkëlqyeshme me bashkëlojtarët dhe tifozët, por kur arrita në shtëpi e mora lajmin për të cilin isha i frikësuar. E kemi humbur foshnjën. Çfarë dhembje dhe trishtim!”, ka shtuar Toloi.

“Të dashurës time Flavia do t’i them vetëm një gjë- të dua dhe gjithmonë do të jem me ty. Jeta është e tillë, ne duhet të jemi të fortë në çdo moment. Besoj se Zoti ka përgatitur më shumë gëzime për neve në të ardhmen”, përfundoi Rafael Toloi, i cili ka një vajzë, me emrin Maria.