Hiqet nga rendi i ditës pika për shkarkimin e Bordit të KPMM-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë hequr nga rendi i ditës pikën për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që të hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Ajo ka thënë se këtë kërkesë e kanë bërë për arsye procedurale derisa ka kërkuar që ajo të caktohet për një seancë tjetër.

“Kjo sepse komisioni funksional e ka edhe një procedurë që duhet ta zbatojë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Kjo pikë do të caktohet në një seancë tjetër”, ka thënë ajo.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka akuzuar për korrupsion Qeverinë duke thënë se vetë e ka emëruar bordin që tash po kërkon ta shkarkojë.