Hiqet çdo dilemë: S’ka marrëveshje me Serbinë nëse shteti nuk drejtohet nga një personalitet i shquar i UÇK-së!

Propozim aktakuza e Prokurorisë Speciale të Gjykatës në Hagë ndaj presidentit Hashim Thaçi ka bërë të mendohet për pasardhësin e tij në rast se kjo aktakuzë konfirmohet nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Afati i fundit kur kjo aktakuzë mund të konfirmohet apo të hidhet poshtë është muaji tetor, prandaj mobilizimi që në krye të shtetit të vendoset një personalitet me kredibilitet dhe bagazh kombëtar e politik, tashmë duket se ka nisur.

Ajo që ka mësuar Ballkani.info ka të bëjë me faktin se tashmë të gjithë e kanë të qartë se nuk mund të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa ndonjë nga personalitetet e shquara të UÇK-së.

“Emrat janë përfolur në publik, mirëpo konkrete ende asgjë nuk ka meqe vendi aktualisht e ka presidentin dhe ai ka mandat deri në fund të muajit shkurt të vitit të ardhshëm. Megjithatë, vendi duhet të jetë i përgatitur që nëse ndaj Thaçit ka aktakuzë, atëherë vendin e tij të zërë dikush që ka barazvlerën e tij. Pra, po flasim për një kalibër të lartë në hierakinë e UÇK-së”, ka thënë një zyrtar i lartë i cili ka preferuar që mos t’i përmendet emri.

Ky zyrtar e ka hedhur poshtë mundësinë që pasuesi i Thaçit të jetë një politikan i nivelit të mesëm sa i përket mbështetjes qytetare, pasi që dialogu me Serbinë kërkon figurë të kompletuar politike dhe me përvojë në të gjitha etapat që ka kaluar deri më tash Kosova.

Ndërkaq, deri më tash si emër potencial për president është përmendur edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj, aktualisht lider i AAK-së. Po ashtu ka edhe emra të tjerë që janë përmendur për pozitën më të lartë shtetërore, si Hajredin Kuçi apo Vlora Çitaku.

Vetë Haradinaj ka folur për këtë çështje. I pyetur nëse do e merrte në konsideratë një propozim për t’u bërë president në rast se konfirmohet aktakuza ndaj Thaçit, Haradinaj e la të hapur mundësinë që të shqyrtojë propozimin.

“Nuk është koha me qenë lakmitar, por nuk nxjerr kandidaturë. Në rast se ekziston një mundësi, dhe ma kërkojnë të marr një përgjegjësi të tillë, edhe mund ta shqyrtoj”, pati thënë Haradinaj.

“Unë kam pasur ballafaqimet e mia me ligjin ndërkombëtar dhe jam rast i mbyllur. Unë kam mjaft punë, Aleanca ka mjaft përgjegjësi dhe jam i kënaqur të vazhdoj kështu siç jam”, tha Haradinaj. /Ballkani.info/