Hipokrizia e Kurtit me Gjykatën Speciale, i lë në baltë edhe bashkëpartiakët e tij

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është kryeministër në ardhje, sa ishte në opozitë ishte shumë i ashpër kundër Gjykatës Speciale.

Ai thoshte se nëse Vetëvendosje vjen në pushtet, nuk do t’i dorëzonte ish-luftëtarët në Hagë, por do ta shfuqizonte Gjykatën Speciale.

Kurti thoshte se vendimet e Gjykatës Speciale do ta ndryshojnë historinë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës është në rrezik nga kjo gjykatë.

Por, pas 6 tetorit, kur Lëvizja Vetëvendosje doli parti fituese, Kurti vetëm një herë ka folur në publik për këtë çështje.

Prej asaj kohe është zhytur në heshtje të thellë sa i përket Gjykatës Speciale.

Tash jo vetëm për komandantët e UÇK-së nga radhët e PDK-së, por edhe për vetë bashkëpartiakët e tij në Vetëvendosje, si Rexhep Selimi dhe Gani Krasniqi, të cilët u ftuan për intervistë nga Gjykata Speciale, Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Zërat në kërkim të një reagimi të Kurtit për këtë çështje, për të cilën kishte dhënë premtime të mëdha, po rriten çdoherë e më shumë.

Ndaj heshtjes së Kurtit sot kanë reaguar edhe ish bashkëpartiakë të tij, por edhe analistë të ndryshëm.

Megjithatë, në fund të tetorit, Arben Gashi nga Lidhje Demokratike e Kosovës e kishte dekonspiruar Kurtin, duke treguar se me përfaqësuesit e Vetëvendosjes kanë rënë dakord që të mos e shfuqizojnë Gjykatën Speciale.

Nga kjo kohë, Kurti përveçse nuk ka folur më për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë mbrojtëse për ish-luftëtarët e UÇK-së të ftuar për intervistim, ai nuk ka dhënë asnjë qëndrim as për mini-shengenin ballkanik, për të cilët po diskutohet me të madhe gjatë këtyre ditëve.

loading…