Drejtues të institucioneve të Kosovës janë kritikuar ashpër nga shoqatat evropiane të gazetarëve por edhe gazetarë vendës për shkelje të lirisë së mediave.

Kjo pas deklaratave me gjuhë linçuese e urrejtëse nga burri i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu që është edhe diplomat, shkruan Demokracia.com.

Ai i ka quajtura mediat si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

Pas këtyre deklaratave dhe shkeljes së rregulloreve të MPJD-së, nga ministrja Donika Gërvalla u kërkua edhe shkarkimi i tij.

Por, ministrja e Jashtme, Gërvalla nuk e ka thënë as edhe një fjalë për këtë çështje.

Si për ironi Donika Gërvalla këto ditë po qëndron në Estoni në një konferencë ku ndër të tjera po diskutohet edhe për lirinë e mediave.

Por për këtë vizitë nuk është njoftuar fare publiku.

Konferenca e Tretë Globale për Lirinë e Medias  u mbajt në Talin në datat 9 deri më 10 shkurt 2022. Kjo konferencë u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Estonisë në bashkëpunim me Institutin Estonez të të Drejtave të Njeriut.

Kjo konferencë kishte qëllim forcimin e përpjekjeve të përbashkëta në mbrojtjen e lirisë së medias dhe të drejtave të njeriut në mbarë botën.

Dje, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe dhjetëra organizata tjera mediatike, i kanë nisur një letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti, pas sulmeve të vazhdueshme që institucionet më të larta të shtetit po ua bëjnë gazetarëve.

Po ashtu, theks të veçantë i është dhënë zëdhënësit dhe këshilltarit për media të Albin Kurti, i cili akuzoi mediat se po tentojnë ta përmbysin presidenten.

“Të marra së bashku, këto komente kanë rezultuar efektivisht në një “përrua” abuzimesh në internet nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke synuar gazetarët dhe aktivistët kritikë dhe të pavarur, veçanërisht gratë. Për më tepër, veçanërisht kur përdoren terma të tillë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, kemi frikë se komente të tilla mund të ndikojnë negativisht edhe në sigurinë fizike të gazetarëve duke denigruar profesionin dhe duke kontribuar në një klimë armiqësore”, thuhet në këtë letër.