Hillary Clinton: Turp që Britania nuk e publikoi raportin për ndërhyrjen e Rusisë

Ish-sekretarja amerikane e shtetit dhe ish-kandidatja për presidente të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, ka thënë se është e pashpjegueshme dhe e turpshme që qeveria britanike nuk e ka publikuar ende raportin për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në politikën e Mbretërisë së Bashkuar.

Ky raport i është nënshtruar kontrollit për informata të sigurisë, por nuk do të publikohet para zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

“Secili person që voton në këtë shtet meriton ta shohë atë raport para se të mbahen zgjedhjet”, tha ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara.

Raporti është hartuar nga Komisioni për Inteligjencë dhe Siguri dhe e përshkruan aktivitetin e Rusisë në demokracinë britanike, përfshirë dyshimet për spiunazh, përmbysje të pushtetit dhe ndërhyrje në zgjedhje.

Në përgatitjen e këtij raporti kanë kontribuar disa shërbime të inteligjencës, përfshirë organizatat GCHQ, MI5 dhe MI6. Këto shërbime e kanë hetuar ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në rezultatet e referendumit për Brexit-in në vitin 2016.

Ky raport ishte i gatshëm në muajin mars dhe ishte dërguar në qeveri më 17 tetor, por miratimi për publikimin e tij nuk do të jepet para përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të dhjetorit, shkruan “BBC”.

loading…