Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ka thënë se Evropa duhet të jetë më e vendosur për problemin e emigrimit, përndryshe do të përballet me fuqizimin e lëvizjeve populiste të krahut të djathtë.
Në një intervistë për gazetën britanike, “The Guardian”, ish-kandidatja për presidente e lavdëroi mirësjelljen e kancelares gjermane, Angela Merkel, për imigrantët. Sidoqoftë, ajo tha se udhëheqësit evropianë duhet ta përçojnë një mesazh më të fuqishëm se ata nuk do të kenë gjithmonë mundësi që të ofrojnë strehim dhe mbështetje.
Këto fjalë bien në kundërshtim me kritikat e saj për presidentin Donal Trump, të cilin e ka akuzuar për retorikën e tij për imigrantët dhe përpjekjen e tij për t’i ndaluar refugjatët dhe azilkërkuesit. “Mendoj se Evropa duhet të merret më seriozisht me imigrimin sepse kjo çështje është shkëndijë që e ndez zjarrin. Ka zgjidhje për imigrimin të cilat nuk lidhen me akuzat ndaj gazetarëve apo ndaj kundërshtarëve politikë ose kërkimit të ndihmës financiare nga Rusia për mbështetje të partive dhe lëvizjeve politike”, tha ajo.
Ajo tha se kandidatët populistë në politikë po flasin sipas emocioneve të popullit. Ajo i kritikoi edhe mediat, për të cilat tha se nuk ishin mjaftueshëm të përgatitura për të raportuar për kandidatët populistë, të cilët, sipas saj, janë mjeshtër të përçarjeve dhe pengesave, shkruan “CNN”.







