Hidhet poshtë padia e Organizatës “Pishtarët” për leje mjedisore ndaj KELKOS-it

Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë padinë e organizatës “Pishtarët”, ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Në aktvendimin e siguruar nga portali Ballkani.info, shihet arsyetimi i Gjykatës në të cilën shkruan se “padia duhet të hidhet poshtë për shkak të ekzistimit të gjyqvarësisë (litispedencës).

Duke iu referuar nenit 63 të LKA-së, gjykata thotë se zbatoi përshtatshmërit këto dispozita, pasi që palët paditëse janë të njëjta dhe pasi që vendimet e goditura me padi janë të njëjta dhe kanë karakter të përgjithshëm, si dhe nuk pohojnë apo mohojnë të drejta të drejtpërdrejtë vetëm për paditësit në këtë çështje apo në çështjen tjetër.

“Shyqyrtimi i çështjes sipas padisë së paditësve në lëndën A.nr2081/20 ka ndikim të përgjithshëm, rrjedhimisht edhe për paditësit në këtë konflikt administrative, andaj gjykata vlerësoi se me vendosjen e kësaj çështje si dispozitiv të këtij aktvendimi, paditësve nuk u mohohet apo cenohet ndonjë e drejtë. Në të kundërtën, vendosja e çështjes në këtë konflikt administrative për të njëjtat vendime, bie në kundërshtim edhe me parim universal juridik “ne bis in idem” dhe do të përbënte procedurë duale për të njëjtën çështje”, shkruan arsyetimi i Gjykatës Themelore.

Kujtojmë se organizata “Pishtarët” ka pretenduar  se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka vendosur t’i japë leje mjedisore kompanisë KELKOS.

Në një letër drejtuar Ministrisë, organizata ka kërkuar llogari se pse KELKOS është pajisur me dy leje të veçanta mjedisore kur ky investitor e ka vetëm një pëlqim mjedisor për hidrocentralet në Deçan, gjë që sipas organizatës është e kundërligjshme.

Për të marrë lejen mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit KELKOS është dashur që të bëjë legalizimin e trasesë, të pajiset me leje ujore dhe ta rehabilitojë Grykën e Deçanit.

KELKOS-it i ishte ndalur prodhimi i energjisë elektrike më 14 tetor në tre hidrocentrale te Gryka e Deçanit dhe pas një muaji, në mbledhjen e nesërme do të diskutohet pajisja e këtij investitori me leje për prodhimin e energjisë elektrike.

“Pishtarët” më tej kanë pretenduar se ekziston vetëm një raport i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis në të cilën hidrocentralet e KELKOS paraqiten si kaskadë.

Më tej, organizata në e-mailin drejtuar Ministrisë pretendon se në një komunikim me zyrtarë të MEA-s e kanë konfirmuar se KELKOS është duke tentuar t’i ndajë hidrocentralet, gjë që sipas Ministrisë është e palejueshme.

Gjithashtu në e-mail thuhet se KELKOS nuk ka bërë asnjë rehabilitim që nga fillimi i Grykës së Deçanit e deri në fund të lokacionit, të njohur si Zalli i Rupës.

Aktgjykimi i plotë: