Lajmi i fundit

Nëntë persona lëndohen nga shpërthimi i një granate dore në tregun e kafshëve në Prizren – në kërkim tre persona

Nëntë persona janë lënduar në tregun e kafshëve në Prizren, pasi dyshohet se një person ka gjuajtur granatë dore pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me dikë tjetër.

Lajmin për Ballkani.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Sot me datë 22.11.2023, rreth orës 04:50, policia ka pranuar informate për një rast plagosje te tregu i kafshëve në Prizren. Nga informatat e para është kuptuar se nëntë persona kanë pësuar lëndime nga shpërthimi i një granate dore”, ka thënë Bytyqi.

Ai tutje ka bërë të ditur se të gjithë të lënduarit janë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.

“Policia ka dalë në vendngjarje dhe është informuar prokurori kujdestar gjithashtu. Në vendngjarje kanë dalë hetimet rajonale të Prizrenit dhe janë duke mbledhur provat si dhe dëshmitë”, ka shtuar Bytyqi.

Në fund, ai ka njoftuar se janë identifikuar tre të dyshuar dhe të njëjtit janë në kërkim policor.