Ndërmarrja Publike për Menaxhimin e Hekurudhave të Kosovës “Infrakos” ka njoftuar se në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë kanë arritur të shmangin një fatkeqësi, pasi ishin hedhur gurë mbi trasenë hekurudhore në dalje të stacionit, përkatësisht në Cerrovikë.

Sipas kompanisë, pas intervenimit është mbrojtur jeta e qindra udhëtarëve që përdorin këtë linjë.

“Në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë ka ndodhur një akt i ulët nga individë të papërgjegjshëm, të cilët kanë hedhur gurë mbi trasenë hekurudhore, në dalje të stacionit Cerrovikë, respektivisht në kilometrin 37+500. Falë vigjilencës dhe profesionalizmit të makinistëve të trenit (Trasa 761), është shmangur një fatkeqësi e mundshme, duke mbrojtur jetën e qindra udhëtarëve që po përdornin këtë linjë për udhëtim”- thuhet në njoftim.

Infrakos dhe Trainkos kanë dënuar ashpër këtë akt  i cili, sipas tyre,  “ka cenuar sigurinë e vendit dhe ka vënë në rrezik serioz jetën e shumë qytetarëve të pranishëm në trenin e linjës”.

Infrakos dhe Trainkos u kanë bërë thirrje organeve të sigurisë që të hetojnë dhe të zbardhin sa më shpejt këtë veprim të rrezikshëm, duke siguruar që autorët të marrin dënimin e merituar.

“Vendosja e pengesës në një lokacion të përzgjedhur siç është rrezja e kthesës me kufizim të dukshmërisë në pamje ka rrezikuar daljen e trenit nga shinat, andaj na bën të besojmë se ky nuk është një akt i thjeshtë, por një veprim që duhet të vëjë në lëvizje organet e rendit”- thuhet me tej në njoftim.