Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Nujaba irakiane, Sheikh Akram al-Kaabi, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, duke thënë se çdo amerikan në rajon do të bëhet një “objektiv legjitim” nëse lideri suprem i Republikës Islamike të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, vritet.
Në një reagim të ashpër ndaj kërcënimeve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, al-Kaabi tha:
“Nëse edhe një fije floku i bie kokës së udhëheqësit të Umetit Islamik, Imam Khamenei, të gjithë ushtarët dhe mercenarët e armikut në rajon do të bëhen objektiva sulmi”, transmeton Ballkani.info.
Ai theksoi më tej se, në rast të një akti të tillë, “asnjë ushtar apo diplomat nuk do të jetë i sigurt” dhe se çdo individ me shtetësi amerikane, si dhe kushdo që ka lidhje direkte apo indirekte me interesat amerikane, do të shpallet “objektivë legjitime”:
“Ne nuk do të ndalemi derisa të gjurmohet i fundit,” tha al-Kaabi.
Udhëheqësi i milicisë së fuqishme shiite irakiane Harakat Hezbollah al-Nujaba paralajmëroi se brezat që do të vijnë do të hakmerren për martirizimin e tyre:
“Nëse na bie martirizimi, fëmijët tanë do të hakmerren për ju”.
Në fund të fjalës së tij, ai hodhi akuza ndaj qeverisë amerikane, duke pretenduar se ajo “po përpiqet të mbulojë fytyrën e saj të shëmtuar me terma si demokracia dhe vetëmbrojtja”, ndërsa në realitet “po mbledh vrasës dhe kriminelë sionistë nga e gjithë bota dhe po krijon një shtet të rremë në tokën e pushtuar palestineze”.
Deklarata vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen. Izraeli po bombardon intensivisht objektet ushtarake dhe bërthamore iraniane dhe Shtetet e Bashkuara po rrisin praninë e saj ushtarake në rajon, duke vendosur avionë luftarakë në Arabinë Saudite dhe në vende të tjera kyçe.
Më 17 qershor, Donald Trump e quajti Khamenei një “shënjestër të lehtë” në një postim në rrjetet sociale, por theksoi se nuk ka një plan të menjëhershëm për ta eliminuar atë për shkak të pasojave të mundshme për forcat amerikane në rajon.
Megjithatë, milicitë pro-iraniane irakiane, duke përfshirë Harakat Hezbollah al-Nujaba dhe Saraya al-Dam, paralajmërojnë se Shtetet e Bashkuara do të përballen me pasoja edhe nëse nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në sulmet izraelite, pasi i konsiderojnë ato bashkëpunëtore.
Ayatollah Khamenei, pavarësisht kërcënimeve, i ka thënë Uashingtonit se përfshirja amerikane në luftë mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme” për Shtetet e Bashkuara. /Ballkani.info/







