Hetuesit e “Speciales” i marrin “dosjet sekrete” nga portali kosovar

Hetues nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë këtë të mërkurë të datës 9 shtator i kanë marrë të ashtuquajturat “dosjet sekrete” nga Gazeta Infokus.

Kjo ka ndodhur pasi një ditë më parë ata zbarkuan në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së për të marrë njërën nga kopjet e dokumenteve që kjo organizatë nëpërmjet një konference për media treguan se një i panjohur i ka sjellë mijëra faqe dosje e dokumente nga specialja, shkruan Gazeta Infokus.

E kopje të këtyre dokumenteve i kishte siguruar edhe Infokusi.

Për to, me kujdesin më të madh, duke ruajtur konfidencialitetin e çdo të dhënë të ndjeshme që gjendeshin në dokumente, ka raportuar të hënën Infokusi.

E të mërkurën gazetari i Infokusit është kontaktuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ku iu është bërë kërkesë që hetues të saj të vijnë e të marrin dosjet.

Të njëjtit kanë qenë po gjatë asaj dite dhe kanë marrë kopjen të cilën e kishte Infokusi.

Dokumentet të cilat i kishte Infokusi për shkak të ndjeshmërisë së lartë ishin ruajtur me kujdesin më të madh, duke mos cënuar asnjë informatë të ndjeshme.