Hetohet kontrata e Telekomit me “Advan Tech”

Prokuroria është duke hetuar një tjetër kontratë të nënshkruar nga Telekomi i Kosovës, e dyshuar si e dëmshme për ndërmarrjen. Kjo marrëveshje është nënshkruar në fillim të vitit 2019 me kompaninë “Advan Tech”, me seli të regjistruar në Tiranë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, këtë kontratë e cilëson shumë të dëmshme. Në një prononcim për KosovaPress, ai u shpreh se kjo kontratë parasheh që “Advan Tech” të përvetësojë rrjetin e Telekomit të krijuar që nga themelimi dhe pa as një investim nga ana e saj.

Sipas tij, dëmet për Telekomin nga kjo kontratë janë miliona euro.

“Është një kontratë tjetër e cila thirret ‘Advan Tech’ është nënshkruar më herët nga ish-kryeshefi zotëri Istrefi, dhe një kontratë e cila ka shkaktuar dhe është nënshkruar pa procedurën e prokurimit, një kontratë e cila i sjellë dëme të jashtëzakonshme Telekomit të Kosovës, një kontratë e cila përfitues e asaj kontrate që gjenezën e ka kompania nga Shqipëria, dhe për neve si sindikatë tashmë është e njohur që trungu i atyre personave janë në Kosovë, mundemi me thënë se rrënjët i ka në Kosovë dhe degët në Shqipëri, është kontratë e cila përfiton dhe i shkakton dëme Telekomit miliona euro”, ka thënë Balaj.

Balaj ka thënë se në këtë kontratë parashihet që të gjithë klientët ekzistues dhe të rinj t’i kalohen kësaj kompanie dhe ndarja e përfitimit të jetë 60 përqind në favor të kësaj kompanie, ndërsa 40 përqind të shkojë për Telekomin.

Për KosovaPress, Balaj deklaron se prej kësaj përqindje Telekomi duhet t’i paguajë të gjitha obligimet ndaj tatimeve të shtetit dhe si rezultat i kësaj, Telekomi për secilin klientë do të ketë humbje.

Për të ilustruar me një shembull, në rast se “Advan Tech” shton një konsumator me internet 20Mbps dhe PAKO B, çmimi që do të paguajë konsumatori është 10.99 euro. Këto të hyra do të ndahen 4.4 euro për Telekomin, ose 40% të fitimit, dhe 6.6 euro për “Advan Tech”, ose 60%.

Pastaj, Telekomi duhet t’i paguajë “Advan Tech”-ut kontentin sipas Annex 6 të kontratës në vlerë prej 2.8 euro. Pastaj, fitimi i Telekomit zbritet nga 4.4 euro në 1.6 euro, pasi hiqet pjesa që duhet të paguajë për kontentin. Ndërsa, fitimet për “Advan Tech” do të rriten në 9.4 euro, kjo pasi 6.6 euro të fitimit i shtohet edhe pagesa e kontentit.

Pastaj, Telekomi i Kosovës duhet të paguajë TVSH-në për të hyrat ne mbledhura, që i bie se për 10.99 euro duhet të paguajë 18% ose 1.97 euro. Përfundimisht, Telekomi është me humbje prej 0.37 euro.

“Për shembull, ajo kompani edhe te klientët aktualë që ne i kemi, do të përfitojë rreth 60 përqind pa investuar as një cent, dhe lerë më investimi i saj më i madhi, sipas ekspertëve nga Telekomi , njerëzve që janë kundër kësaj kontrate, është që vetëm starti i saj në investim mundet të shkojë afër 7 ose 8 euro, ndërsa përfitimet që në muajin e parë i kanë 10 euro, paramendoni muajt tjerë në vazhdimësi”, thotë Balaj.

Ish-kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, i cili e ka nënshkruar këtë kontratë, përmes telefonit i ka thënë KosovaPress-it se ajo kontratë ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme.

“Unë në Telekom nuk jam që shtatë muaj, edhe ajo kontratë është me vendim të bordit, me vendim të menaxhmentit, me rekomandime të komisionit, dhe gjithçka çka është dashur të plotësohet, çdo kriter, çdo interes është bërë për Telekomin”, ka thënë Istrefi.

Istrefi ka kërkuar që për çdo informatë për kontratë, të referohen të dhënat zyrtare nga Telekomi.

KosovaPress ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Telekomi i Kosovës, me pyetjen lidhur me këtë kontratë, megjithatë, zëdhënësi i Telekomit, Menduh Abazi, në një përgjigje me shkrim ka thënë se nuk mund ta komentojnë këtë pasi që lënda është në prokurori dhe nuk dëshirojnë t’i pengojnë hetimet.

“Mund të konfirmoj se lënda është në prokurori dhe duke qenë kështu nuk mund të japim asnjë koment shtesë për të mos penguar hetimet”, ka thënë Abazi në përgjigjen me shkrim për KosovaPress

Në emër të kompanisë “Advan Tech” kontrata është nënshkruar nga drejtori menaxheus Olti Bushi. KosovaPress kontaktoi përmes telefonit edhe me Bushin, i cili shkurtimisht deklaroi se “kontrata parashihte zhvillime dhe investime” porse jemi të lirë ta vlerësojmë të dëmshme nëse thuhet kështu nga punëtorët e Telekomit.

Po ashtu, KosovaPress i është drejtuar me një shkrim edhe Prokurorisë së Kosovës për të kuptuar se në cilën fazë janë hetimet në lidhje me këtë kontratë, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë një përgjigje.