Hetimet për Bajnskën

Hetimet për Bajnskën, Serwer kritikoi SHBA-në e BE-në: Çka tha ambasadori amerikan?

Eksperti amerikan, Daniel Serwer ka ngritur pikëpyetje rreth mospublikimit të hetimeve nga ShBA-ja dhe BE-ja për sulmin e Bajnskës më 24 shtator të këtij viti. Jo më larg se këtë javë, mbi këtë çështje foli edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier – çfarë tha ai?

Po bëhen gati tre muaj prej sulmit terrorist në veri të Kosovës që e la të vdekur zyrtarin policor kosovar, Afrim Bunjaku.

Tashmë është konfirmuar, organizator i grupit ishte Milan Radojiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, dhe figurë që shpesh është parë edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Qeveria e Kosovës disa herë ka përsëritur se pas këtij sulmi, qëndron pikërisht presidenti serb, derisa faktori ndërkombëtar, po i kryen hetimet e veta të cilat ende nuk janë bërë të ditura.

Çka do të thotë kjo?

Eksperti amerikan, Daniel Serwer në një opinion të shkruar në “Peacefare”, ka thënë se në këto momente “ajo që nuk thuhet është më e rëndësishme se ajo që thuhet”.

“Ky është një nga ato momente në Ballkan kur ajo që nuk thuhet është më e rëndësishme se ajo që thuhet. Amerikanët dhe evropianët deri më tani nuk kanë arritur të publikojnë rezultatet e hetimeve të tyre të paralajmëruara për kryengritjen e dështuar serbe të 24 shtatorit në veri të Kosovës.” – ka shkruar ai.

Sipas Serwer, nuk ka provë që tregon nëse presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e organizoi këtë sulm ose jo, por theksoi që ai i merr të gjitha vendimet e rëndësishme në Beograd.

“Disa diplomatë do t’ia atribuojnë heshtjen preokupimit në Uashington dhe Bruksel me luftën në Gaza. Kjo sigurisht meriton prioritet dhe ngadalëson vendimet e nivelit të lartë për çështje të tjera. Por, Departamenti i Shtetit dhe aparati i politikës së jashtme të BE-së merren me problemet në mbarë botën, jo vetëm çështjet kryesore të sotme.” – u shpreh tutje Serwer.

Çka tha SHBA?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë vlerësimin e situatës që solli sulmin e terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës ku u vra zyrtari policor kosovar, Afrim Bunjaku. Sipas detajeve të fundit të dhëna nga ambasadori amerikan, vlerësimi po vazhdon dhe nuk ka përfunduar ende.

Këto deklarata ai i bëri gjatë kësaj jave nga Mitrovica, ku mes tjerash, u pyet edhe për atë që u cilësua si hetim i ShBA-së për sulmin e 24 shtatorit.

Hovenier bëri me dije që vlerësimi i tyre mbështet kryesisht në informacione të dhëna nga Qeveria e Kosovës, por jo vetëm.

“Ne kemi bërë vlerësimin tonë për atë që ka ndodhur (në Bajnskë), që kryesisht mbështetet në informacione të Qeverisë së Kosovës, por jo vetëm. Ky vlerësim po vazhdon ende dhe dua të përsëris që ata që janë përgjegjës për këtë sulm, duhet të mbahen përgjegjës.” – u shpreh ai.

VIDEO BONUS: Demokracia eshte vlere, ideal, besim, dhe orinetim i yni… Arben Gashi kapet me deputetet e VV-së