Në Shqipëri janë ngritur akuza në lidhje me disa prona të forcave të armatosura nga ish-drejtuesi i forcave detare, Artur Meçollari. Në dy padi të depozituara prej tij në Prokurorinë e Posaçme, thuhet se zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë kanë shpërdoruar detyrën. Ai thotë se ata kanë lejuar ndërhyrje në disa prona të veçanta për të cilat duhet marrë më parë miratimi i Presidentit. Zëri i Amerikës i ballafaqoi pretendimet e tij me ato të institucioneve shtetërore dhe sjell materialin në vijim.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, ka çelur hetime paraprake mbi dy kallëzime penale të bëra në mars dhe prill të vitit të 2021 nga Artur Meçollari, ish-drejtues i lartë i forcës detare. Në to përfshihen zyrtarë të tanishëm dhe ish – zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Forcës Detare dhe Policisë Ushtarake. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zoti Meçollari i akuzon ata, se kanë kanë shpërdoruar detyrën në lidhje me dy aktivitete private të lejuara në pronat në Planin e Vendosjes dhe të Përhapjes, siç njihen zonat ku janë të dislokuara forcat detare. (Këto prona janë pjesë e strukturës dhe kërkesave operacionale të Forcës Detare) Çdo ndryshim i këtyre pronave bëhet me propozim të Ministrit të Mbrojtjes dhe miratohet nga Presidenti. Zoti Meçollari, në dy kallëzimet e tij, thotë se ndryshimet në plan janë bërë pa marrë miratimin e Presidentit.
“Njëra padi është për shpërdorim detyre në lidhje me dhënien me qera të të gjithë bazës detare të Limionit Sarandë, duke mos lënë asnjë asnjë metër katror për forcën detare, dhe e dyta është për bazën detare të Shëngjinit, ku është ndërtuar brenda pronës që ndodhet në planin e vendosjes dhe të përhapjes të Forcës Detare, që është e ndaluar kategorikisht me ligj”- tha për Zërin e Amerikës Artur Meçollari, ish Zv. Komandant i Forcës Detare.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në lidhje me dhënien me qira të bazës detare në gjirin e Limionit Sarandë, rezulton se në vendimin numër 514 të Këshillit të Ministrave, parashikohet dhënia e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifë 1 euro /kontrata ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe bashkimit të shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrës, për pasurinë shtetërore me sipërfaqe të përgjithshme rreth 265 mijë metër katror. Brenda këtij territori ndodhet dhe një pronë me sipërfaqe rreth 39 mijë metra katror me numër 696, që sipas Zotit Meçollari, bën pjesë në planin e vendosjes dhe të përhapjes, për dhënien me qera të së cilës, duhet marrë më parë miratimi i Presidentit të Republikës. Në projekt-kontratën që Zëri i Amerikës siguroi përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përveç ushtrimit të veprimatrisë në fushën e turizmit për 20 vjet, parashikohet dhe ndërtimi nga shoqëria qiramarrëse, i një bankine për forcat detare në gjirin e Limionit në Sarandë. Ish drejtuesi i lartë i Forcës Detare, Artur Meçollari thotë, se në kohën kur ai ishte ende në detyrë, ka patur një propozim të forcës detare për çështjen e bazës por që nuk është marrë në konsideratë.







