Heshtja e dy njerëzve të zëshëm të Vetëvendosjes për punësimin që bëri bujë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe bashkëshorti i saj Alban Krasniqi, njihen për opozitarizmin e tyre sa herë që ndodh ndonjë ngjarje që s’i shkon vijës së tyre politike.

Të dy janë treguar shumë të zëshëm, në momente të caktuara, por jo edhe kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me ta.

Tash e një javë çifti Haxhiu-Krasniqi, kanë heshtur totalisht për angazhimin e këtij të fundit në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, si Këshilltar i jashtëm politik.

Gazeta Insajderi e ka pyetur të martën e kaluar Haxhiun nëse përmes pozitës së saj ka ndikuar në emërimin e bashkëshortit si Këshilltar në MAPL, por deri me sot nuk ka kthyer përgjigje.

Për të njëjtën çështje përgjigje nuk ka kthyer as protagonisti Krasniqi, i cili tash e tutje do ta ushtrojë postin e Këshilltarit të jashtëm politik i ministrit Elbert Krasniqi.

Ministri përmes vendimit të nënshkruar më 5 gusht të këtij viti, e ka emëruar Krasniqin për Këshilltar të tij të jashtëm.

Lajmin e ka konfirmuar vetë ministri, kur është pyetur nga Gazeta Insajderi.

“Mund te konfirmoj se është emëruar Këshilltar i jashtëm politik Alban Krasniqi. Ka tri ditë që është emëruar në këtë pozitë”, ka thënë të martën e kaluar ministri Krasniqi.

Alban Krasniqi pos që është bashkëshorti i shefes së Drejtësisë të vendit, është edhe i afërt me partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje.

Nën logon e kësaj të fundit kishte kandiduar për kryetar të komunës së Malishevës në zgjedhjet lokale të vitit 2021, por nuk kishte arritur të fitojë kundrejt Ekrem Kastratit, që tash mban pozitën e të parit të këtij qyteti.