“Hera e parë në jetë…”, Drejtori i RTK’së i kthehet ashpër Armend Mujës

Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati i është kthyer ashpër sot deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Mujës, i cili kryeson Komisionin për Buxhet.

Në këtë mbledhje, Kastrati tha se po bëhet shantazh ndaj mediumit publik dhe se punëtorët e RTK’së kanë mbetur pa paga qe 20 ditë.

 “Qe 20 ditë kemi punu pa pare, kemi lyp mirëkuptimin tuaj, t’kam shkru edhe i kam dërgu nja 32-3 emaile në të gjitha institucionet. Meqë është data 20 dhe nuk janë pagat, është hera e parë në jetë që ka me pasë vonesa të pagave për punëtorët e RTK-së. Kam lyp mirëkuptimin tuaj, ta trajtojmë cështjen, këto paga i takojnë RTK-së me ligj, o me mu o pa mu, në fund të gjithë kemi me dhënë përgjegjësi, përndryshe nuk po e shoh ndryshe vec si shantazh”, ka thënë Kastrati.

Ndryshe, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kritikuar për nepotizëm në RTK.

Deputeti i LVV-së, Visar Korenica ka përmendur punësimet e familjarëve të Gani Thaçit, vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Korenica ka thënë se me kontratë mbi vepër janë punësuar Leotrim Thaçi dhe gruaja e tij, Festina Cakolli, ndërsa vëllai i kësaj të fundit është punësuar si kameraman.

Ai ka thënë se Prokuroria duhet të nis hetime për, siç ka thënë, keqpërdorimet në RTK.

“Në bazë të diskutimeve është raportuar se është punësuar edhe dhëndri i kryetarit të Bordit. Sali Bashota a bie kjo në kundërshtim me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. RTK është sinonim i keqpërdorimeve të vazhdueshme. Për të gjitha këto parregullsi duhet të formohet një komision hetimor sa më parë që ta hetojë gjendjen në RTK dhe të monitorohet nga organet ndërkombëtare. Prokuroria duhet të nisë sa më parë hetimet ndaj keqpërdorimeve në RTK. Atë që Kuvendi duhet ta bëjë me urgjencë është kthimi i ligjshmërisë duke shkarkuar bordin aktual dhe duke nxjerrë një bord profesional”, ka thënë Korenica.