Heqja e vizave: Deri në fund të vitit ka shpresa të ketë përgjigje pozitive

Deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë kanë biseduar me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, rreth liberalizimit të vizave.

Pas takimit, kryetari i komisionit, Haki Abazi tha se ka shpresa që deri në fund të vitit të ketë përgjigje pozitive sa i përket dinamizmit të procesit të liberalizimit të vizave.

Abazi tha se ambasadori e ka shprehur qëndrimin e presidentit Emmanuel Macron në favor të lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës por shtoi se duhen adresuar disa shqetësime.

“Ambasadori ka konfirmuar pozicionin e presidentit Macron të shprehur në qershor dhe të ‘Trekëndëshit të Vaimarit’ në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe natyrisht me një prapashtesë sepse ka disa shqetësime qe duhen të adresohen. Ky është formulimi i saktë që kemi biseduar sot. Kemi argumentuar në nivelin e asaj se çfarë do të thotë për qytetarët e Kosovës që ky proces të mos ketë qartësinë e plotë. Kemi marrë përgjigje gjithashtu. Është një klub i shteteve të Bashkimit Evropian që po bën negociata për të gjitha aspektet përfshirë edhe ETIAS si sistem, i cili e prek edhe Kosovën. Prapë kemi argumentuar në nivelin e asaj se çfarë presin qytetarët kosovarë nga ky proces. Ajo që është thënë sot është se ky proces do të vazhdojë dhe ka shpresa që deri në fund të vitit të marrim përgjigje pozitive sa i përket dinamizmit të procesit të liberalizimit të vizave”, tha Abazi.

Takimi i deputetëve me ambasadori ne Francës u zhvillua a praninë e mediave pas së cilit kryetari komisionit tha se kanë diskutuar edhe për avancimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve.