Hemodializa në Prizren i është kthyer normalitetit pas rasteve me COVID-19

Puna në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Prizrenit po zhvillohet normalisht.

Madje, sipas drejtuesve të Spitalit, shërbimet e hemodializës po ofrohen edhe për pacientët nga veriu i Shqipërisë, raporton KOHA.

Në këtë repart, në javët e shkuara, si në mesin e punonjësve shëndetësorë ashtu edhe në mesin e pacientëve ka pasur të infektuar me koronavirus.

Drejtori i Spitalit në Prizren, Afrim Avdaj, ka bërë të ditur se nga 12 pacientët e këtij reparti që kanë qenë pozitivë me COVID-19, 5 prej tyre kanë rezultuar negativë.

“Gjendja dhe punët në Repartin e Hemodializës janë duke u zhvilluar normalisht. Aktualisht marrin shërbime të gjithë pacientët, të cilët e kanë marrë shërbimin e hemodializës edhe më herët. Është ndryshim i vetëm se tanimë nga 12 pacientë që kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe që kanë marrë shërbime të hemodializës tani 5 nga ta kanë rezultuar negativë”, ka thënë Avdaj.

Ai ka theksuar se brenda pak ditësh pritet të testohen edhe pacientët e mbetur.

“Në këtë javë për 2-3 ditë presim të testohen dhe pacientët e mbetur dhe nga fundjava presim t’i kemi të gjithë pacientët negativë në Repartin e Hemodializës. Aktualisht edhe pacientëve nga veriu i Shqipërisë, 14 nga ta, u është dhënë shërbimi i hemodializës në mënyrë të pandërprerë, ashtu siç ka qenë dhe para fillimit të pandemisë”, ka shtuar ai.

Avdaj pohon se punonjësit shëndetësorë i kanë dhënë shërbimet brenda rekomandimeve të IKSHP-së dhe puna ishte riorganizuar pas infektimit të dy infermierëve, por pret që së shpejti stafi të jetë i kompletuar.

Në anën tjetër, koordinatori i Shtabit emergjent komunal, Visar Shehu, përmes telefonit ka deklaruar se prej momentit të identifikimit të pacientit zero në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Prizrenit, pjesa dërrmuese e atyre që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 në këtë komunë, si dhe komunat përreth kanë qenë kontakte apo kontakte të kontakteve të pacientëve e punonjësve shëndetësorë të këtij reparti.