Helvecia financon vetëdëbimin e kosovarëve

Në Zvicër: Një aferë e re me shqiptarë! Qeveria zvicerane financon një projekt që ka për synim; animimin e kosovarëve që të kthehen atje nga kanë ardhur. Me propagandë të rrejshme dhe subtilitet, thonë mediat e shumta vendore. Qeveria thotë se nuk e ka aty qëllimin, porse tu tregojë njerëzve se kanë shanse të mira në Kosovë.

E në emër të Helvecisë flet reparti i saj që merret me rregullimin dhe dëbimin e të hujave SEM – financuesi. Dhe si zakonisht e shpesh: iniciatorët e projektit në fjalë thuhet të jenë vetë shqiptarët.

Bernë, 30. janar 2019– Ishte e përdielshmja më e madhe zvicerane «SonntagsBlick≫ajo që denoncoi problemin. «Janë kosovarët qytetarë të klasit të dytë?», kështu titulli i editorialit të kryeredaktorit të gazetës, në të cilin tekst ai akuzonte qeverinë zvicerane për praktika të palejueshme e me tonalitet ksenofob: «Qeveria nuk thirr më:Jashtë shqiptarët e Kosovës[thirrje e njohur e qarqeve radikalkonservative kjo]! Sjellja e qeverisë është shumë më subtile. Sekretariati Shtetëror i Migracionit financon tetë filma të shkurtër mbi persona, të cilët pas kthimit në Kosovë qenkan bërë biznesmenë» [27.01.2019], shkruan kryeredaktori Gieri Cavelty. Sipas tij aksioni është i natyrës trushpëlarëse pasi shpërndanë propagandë të rrejshme, si për shembull kur një i kthyer nga Baseli thotë: «Në Kosovë ka shumë potencial […] Kosova të mundëson një jetë në mirëqenie dhe më të suksesshme se në Zvicër», kur kihet parasysh se vendi vazhdon të gjendet në probleme shumë të rënda politike, ekonomike e sociale. Ajo që për kryeredaktorin zviceran qenka kulmi, «no go,është aludimi i filmave, me gojën e një bukëpjekësjeje që thotë: «Nuk doja që fëmijët e mi të rriten në një vend të huaj. Njeriu ka më shumë vlerë në vendin e tij se diku tjetër», çka për autorin qenka një racizëm ndaj emigrantëve që sugjerohen si të pavlerë.

Kryeredaktori i „SonntagsBlick“, Gieri Cavelty
Pro dyshimit të «SonntagsBlick» në këtë kontekst është involvimi i një enti federativ si Sekretariati Shtetëror i Migracionit SEM. Ky nuk është ai me emrin DEZA që merret me zhvillimin dhe bashkëpunimin jashtë Zvicrës, pra për të ndihmuar vendet në zhvillim siç është edhe Kosova. SEM është institucion enkas për pranimin, rregullimin dhe dëbimin e migracionit dhe refugjatëve nga Zvicra.

Lukas Rieder, zëdhënësi i SEM

Një ditë më vonë qeveria zvicerane, respektivisht SEM shpërndau një komunikatë kundër editorialit të «SonntagsBlick», i cili në shumicën absolute të mediave morri titullin «Qeveria mbron videot me propagandë për kthimin e kosovarëve» [Nau:28.01.2019], duke potencuar se bëhet fjalë për njerëz me qëndrim të rregulluar, shtetësi e jo për ilegalë dhe azilkërkues. Zëdhëniesi i Entit për Migracion Lukas Riedermbron aksionin në këtë mënyrë: «Vërtet nuk bëhet fjalë për kthimin e kosovarëve, por më shumë për t’iu treguar njerëzve se ç’shansesh kanë në Kosovë». Rieder në intervistën e tij, ku edhe vetë thotë se janë institucion për azil dhe të huaj – me status të përkohshëm – zbulon se jo Qeveria zvicerane është inicuese e Projektit në fjalë, por portali zvicerano-shqiptar «albinfo.ch» që është pronë e shqiptarit me origjinë nga Shkupi Bashkim Iseni. Portali, respektivisht firma që punëson 3-4 veta është diskutuar shpesh në mediat tjera të diasporës dhe në rrjetet sociale gjoja se zhvat fonde në Zvicër e Prishtinë – edhe atje ka fituar tenderë për dokumentarë të natyrës – në kurriz të diasporës shqiptare, madje duke difamuar ata me projekte të shpikura si të paintegrueshëm dhe si kësaj radhe, siç pandeh «SonntagsBlick», duke ndihmuar me propagandë për «dëbimin e tyre në mënyrë subtile».

Gjersa portali në fjalë mund të veprojë kryesisht për shkaqe të ulëta financiare apo për vetësocializim të bërësve të saj; dhe Zvicra të paguajë projekte të tilla e shtyrë nga ëndrra se një ditë do ta ketë ulur dramatikisht prezencën e kosovarëve në vend; Kosova, Shqipëria dhe Ballkani megjithatë kanë nevojë për potenciale nga jashtë. E rekrutimi i tyre nuk bëhet nga ata që duan të përfitojnë nga gjurmët e origjinës të tjerëve – si të huaj potencialisht për t’i kthyher – e as nga ata që për agjendë dite kanë reduktimin sa më maksimal të numrit të migracionit në vend, por bëhet krejtësisht nga struktura tjera dhe atë jo me propagandë të rrejshme, por me motive transparente dhe projekte konkrete që nuk vënë në diskutim qëndrimin, shtetësinë e njeriut, sidomos jo në këto kushte globale, translokale, glokale e transnacionale.

Edhe diçka tejet logjike bënë të dyshimta projektet e sojit: asnjë shtet nuk punon për dëbimin e potencialeve të tij. Përkundrazi. E këtë leksion a nuk e mësuam me Xhakën, Shaqirin dhe tjerët saherë hapet diskutimi se ata mund të luanin për vendet e origjinës?

Copyright: Xhemal Ahmeti.