Helmim

Helmimi i turistëve në Vlorë, spitali: Janë rreth 20 fëmijë polakë

Lidhur me helmimin e mbi 20 turistëve në Vlorë ka folur mbrëmjen e sotme për Klan News, drejtoresha e spitalit rajonal Bruna Mersini.

Ajo thekson se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe se janë rreth 20 fëmijë të moshës 15-vjeç që vijnë nga shteti i Polonisë.

Pakujdesia ndaj konsumimit të ushqimeve është kudo dhe nga çdokush. Janë disa fëmijë të moshës 14, 15 vjeç, vijnë nga Polonia. Kanë udhëtuar gjithë ditën, nga Shkodra e më pas kanë marrë anijen për në Karaburun. Janë paraqitur me çrregullime gastrointestinale, por situata është nën kontroll.  Gjendja e tyre është nën kontroll. Ne thjesht japim alertin prej numrit. Kur na vjen një pacient kështu, ne kryejmë hetimin epidemiologjik. Po kryhen analizat, por këta janë fëmijë. Edhe vapa, qëndrimi në diell në Karaburun mund të jetë një arsye e dytë, pa dalë analizat ne nuk japim dot një konkluzion. Janë diku te rreth 20 fëmijë të helmuar pavarësisht se autobusi kishte 50 pasagjerë”, deklaroi Mersini.

Mësohet se turistët kanë qenë duke vizituar me anije gjatë ditës Karaburunin dhe Sazanin, ndërsa kanë filluar të ndihen keq në orët e pasdites e më pas i janë drejtuar urgjencës.