Hektor Beqiri e ka quajtur telenovelë të re të Gjykatës Speciale ngritjen e aktakuzës së re për ish presidentin Hashim Thaçi.

Bashkëpunëtori i afërt i liderëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë dhe që tashmë gjykimi i tyre më shumë po duket si farsë sesa drejtësi, ka thënë se Dhomat e Specializuara deri më sot kanë shkelë të drejtat e çlirimtarëve duke ofruar spektakël, por jo drejtësi.

“Një përpjekje e re për ta njollosur njeriun që e ndriçon historia e popullit tonë, i cili së bashku me shokët e tij pas pak muajsh do të jenë të lirë, sepse nuk do të mund t’ua vonojnë lirinë as me konstruktim të aktakuzave të reja. Sa më të mëdha përpjekjet për t’i luftuar e njollosur nga Gjykata Speciale, aq më e madhe përkrahja nga populli ynë! Me dekada kërkojmë drejtësi dhe nuk do të ndalemi deri sa të triumfojmë!”, ka shkruar Beqiri.

Beqiri e ka publikuar një foto të tij dhe të Thaçit si 16 vjeçar, duke treguar kështu se lufta për drejtësi, liri dhe pavarësi është e gjatë me dekada.

Në këtë fotografi Beqiri shihet në moshë të re duke protestuar diku në Evropë dhe duke kërkuar Republikë për Kosovën.